Nga: Victoria Friedman, Breitbart/

Ministria e jashtme e Francës ka reaguar me zemërim pasi zëvendëskryeministri populist i Italisë, Luigi Di Maio, u takua me Jeleket e Verdhë të Francës, duke e quajtur mbledhjen si një “provokim i papranueshëm”.

Di Maio, partia anti-establishment e të cilit, M5S, qeveris Italinë në koalicion me Lega-n e djathtë populiste, u takua me udhëheqësin e jelekëve te verdhë Christophe Chalençon si dhe me kandidatët për Parlamentin Evropian nga lëvizja anti-qeveritare, të martën.

Zëvendëskryeministri ndau një fotografi të takimit, në Instagram, duke shkruar:

“Sot me Alessandro Di Battista [miku politikan i M5S], kemi bërë një udhëtim në Francë dhe takuam kreun e Jelekëve të Verdhë Cristophe Chalençon dhe kandidatët në zgjedhjet Evropiane …

“Kjo është foto suvenir e këtij takimi të bukur, i pari nga shumë, në të cilin biseduam për vendet tona, të drejtat sociale, mjedisin dhe demokracinë direkte.

“Erërat e ndryshimit kanë kaluar Alpet. E përsëris. Erërat e ndryshimit kanë kaluar Alpet. ”

Takimi vjen pasi Di Maio arriti tek Jeleket e Verdha, duke shkruar në blogun e tij në janar, “Jeleket e Verdha, mos u shkurajoni!”

“Në Francë, si në Itali, politika është bërë e shurdhër ndaj nevojave të qytetarëve që janë mbajtur jashtë vendimeve më të rëndësishme që prekin njerëzit. Thirrja që ngrihet fuqishëm nga sheshet franceze është në fund të fundit: ‘le të marrim pjesë!’ shkroi ai.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Francës tha të mërkurën se “Ky provokim i ri nuk është i pranueshëm midis vendeve fqinje dhe partnere në Bashkimin Evropian”.

“Z. Di Maio, i cili mban përgjegjësi qeveritare, duhet të kujdeset që të mos minojë, nëpërmjet ndërhyrjeve të tij të përsëritura, marrëdhëniet tona dypalëshe, në interes të Francës dhe Italisë”, shtoi ai.

Franca dhe Italia kanë qenë në luftë në muajt e fundit në lidhje me emigracionin dhe buxhetet. Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt Italinë, presidenti francez globalist Emmanuel Macron, tha në një fjalim në qershor se populizmi dhe ndjenja e emigracionit anti-masiv po përhapeshin në të gjithë Evropën “si lebroza”.

Udhëheqësi i partisë së Lega-s Matteo Salvini, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër i vendit dhe ministri i brendshëm, u përgjigj duke e quajtur Macronin një hipokrit për refuzimin dhe kthimin e emigrantëve në vendin e tij duke thënë: “Mund të jemi populistë lebrozë, por unë do të marr leksione kur ai të presë dhjetëra mijëra emigrantë, atëherë mund të flasim. ”

“Fyerjet e Macron nuk ndikojnë tek unë, ato më bëjnë të fortë. Ndërsa ai flet, unë jam duke punuar sot për të ndaluar trafikimin e emigrantëve të paligjshëm në Mesdhe dhe për ti kthyer vilat e kapura nga mafia tek populli italian “, shtoi ai.

“Disa flasin, disa punojnë. Puthje te mëdha!”

Veritas.com.al/