Këshilli i Legjislacionit dha dakordësinë për dërgimin në seancë plenare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Vendimi shënon një tërheqje të PS-së nga qasja e shprehur më herët për të kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias, me pretendimin e një konflikti kompetencash me trupën Kushtetuese. Mazhoranca dhe opozita ishin dakord që kërkesa të kalojë për votim në seancën e parë të punës të Kuvendit.
Olta Xhacka i riktheu në punë para kohe anëtarët e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë. Zbatimi i vendimit të dytë të Gjykatës Kushtetuese mbi legjitimitetin e mandatit të deputetes socialiste, bëri që në Kuvend të dëgjoheshin sërish akuzat politike.
“Uroj që në këtë pjesë të mbetur të legjislaturës ju të merrni sa më pak vendime antikushtetuese sepse vetëm në sesionin e kaluar keni marrë katër vendime antikushtetuese”, tha deputeti i PD, Gazment Bardhi.
Pushimet verore duket se kishin ndryshuar edhe bindjen e socialistëve nëse do të vijonin mbrojtjen politike ndaj koleges Xhaçka. Në korrik mazhoranca ishte e mendimit të kërkonte opinion nga Venecia me pretendimin se Gjykata Kushtetuese nuk mund të detyronte deputetët në votim, por duket se me vapën e gushtit kjo u harrua.
Edhe mazhoranca shprehu gatishmërinë për shqyrtimin e çështjes sa më parë në seancë plenare. “Ky vendim 55 i gjykatës në fakt është një kat akuzë penale ndaj 70 e ca deputetëve të kuvendit të cilët vendosën të shkelnin kushtetutën dhe vendosën të mos zbatonin vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bardhi, raporton A2 CNN.
“Duke qenë se në vendimin e vet Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin, që do të thotë Seancën plenare që merr vendime, që të dërgojë mocionin përkatës në GJK, ky këshill në fakt duhet t’i propozojë Kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë projektvendim në rendi ne ditës të seancës më të afërt”, tha deputetja e PS, Klotilda Bushka.
Këshilli i Legjislacionit gjeti dakordësinë që seanca plenare të votojë sa më parë kërkesën për dërgimin në Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës. /A2 CNN