Ilir Meta mund të bëhet i pari kryetar shteti në historinë e Shqipërisë i shkarkuar nga ligjvënësit për shkelje të rënda të Kushtetutës së vendit. Mazhoranca socialiste, e vendosur që këtë nismë të dytë ta çojë deri në fund, nuk ka humbur kohë por ka mbledhur nga radhët e saj 50 firma nga 35 që duhen gjithsej për të materializuar sa më shpejt nisjen e procesit.
‘Ilir Meta ka krijuar ndasi sociale, politike dhe ka nxitur daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët… duke sjellë deri në kryerjen e konflikteve me armë’. Përmes këtyre akuzave shumë të forta socialistët duan ta bëjnë Ilir Metën shembull, pasi sipas tyre nuk ka qenë në asnjë moment ashtu siç e ‘urdhëron’ Kushtetuta: i paanshëm dhe që përfaqëson unitetin e popullit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar si të vazhdueshme shkeljen e Kushtetutës nga ana e Metës. Balla ka thënë se në dokument janë paraqitur të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme për ta iniciuar këtë proces. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nisma e parë për shkarkimin e Presidentit Meta nuk u konkludua në respekt të opinionit të Komisionit të Venecias.
Nisur nga zyrtarizimi i nismës ka ardhur edhe reagimi i Presidentit Meta, i cili e konsideron ende një ‘shashkë’ gjithë këtë proces dhe bën thirrje që vëmendja të përqendrohet të krimet zgjedhore.
Ndërkohë që sot paradite u mblodh Konferenca e Kryetarëve ku vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 4 maj, 6 maj, 13 maj dhe 20 maj 2021.
Për herë të dytë brenda dy viteve, Partia Socialiste nis procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Kujtojmë se Ilir Meta kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqjen por nuk e bëri një gjë të tillë pas zgjedhjeve. Ai ka thënë se do të kthehet në LSI në 2022, kur dhe i përfundon mandati i Presidentit. Nisur nga kjo, mazhoranca e njoftoi menjëherë nismën e saj për ta shkarkuar. Ishte vetë numri dy i PS-së, Taulant Balla i cili i pari konfirmoi një fakt të tillë, duke thënë se “do i bëjnë gati letrat e pensionit”.
Ndërkohë që më i ashpër ishte Kryeministri Rama i cili tha se Ilir Metën e dënoi populli i Shqipërisë në mënyrën më spektakolare dhe Kuvendi i Shqipërisë do të formalizojë këtë vendim.