Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë konfirmuar sot konsensusin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Të dyja palët kanë miratuar në parim propozimin e socialistëve për ndryshimet në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, që do të mundësojë të vendosen në sitë të gjithë politikanët që kanë kaluar verifikimin nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit, si dhe propozimin e demokratëve për ndryshim në ligjin për “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror”, që do të mundësonte hapjen e të gjitha dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit.
PS prezantoi projektligjin e depozituar, ku kërkon dënimin e krimeve të së kaluarës duke vendosur në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani.
“Pavarësisht fakteve të tjera që mund të dalin në dritë që përmbysin deklaratat e mëparshme si ish komisionet Bezhani apo Mezini, duke pasur ndalim në ligj, mungon kompetenca lëndore e shqyrtimit të akteve. Autoriteti nuk ka dot mundësinë të bëjë shqyrtim aktesh se nëse do e bente do ishim në kushtet e pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ. Nisur nga shpeshtësia e informacioneve të cilat rrëzojnë herë pas herë deklarata të mëparshme pastërtie ka lindur e nevojshme që kjo pengesë ligjore të evitohet për arsyen e parë që në kuadër të transparencës dhe të drejtës të informimit, duhet që ligjvënësi ta pajisë autoritetin me të gjitha mundësitë për të realizuar punën e vet. E dyta dhe pse kanë kaluar shumë vite nga ai regjim, ende ka shumë dritëhije, ende ka të pasakta informacione, ende ka të vërteta që rrëzohen dhe opinioni do duhet të informohet në mënyrë profesioniste, të vërtetë, mbi atë që ndodh për personazhe të ndryshëm që dhe pse mund të kenë pasur një certifikatë pastërie të mëparshme, nuk rezultojnë të jenë të tillë si rezultat i dokumenteve të reja që dalin në dritë”, tha Bushka.
Nga ana tjetër, PD kërkon hapjen e plotë të dosjeve të ish-sigurimit. Kreu i Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj tha se përjashtohet vetëm hapja e dokumenteve që prekin sigurinë kombëtare, ose ato dokumente që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me shtetet e tjera. Alibeaj tha se kjo është një nismë e rëndësishme për t’u larguar nga e shkuara.
“Përjashtimisht konsiderohen të deklasifikuar dokumentet ish sigurimit të ministrisë së brendshme për peridhën 20 nëntor deri ën ditën e krijimit të shërbimit informativ shqiptar, në korrik. Nga zbatimi i kësaj dispozite përjashtohen dokumentet e ish sigurimit të shtetit që lidhen me marrëdhëniet mes shteteve dhe sigurinë kombëtare.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo institucion ka detyrim të publikojë biografinë e dokumenteve të ish-sigurimit ët shtetit të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumente e ish sigurimit të shtetit. Qytetarët kanë të. Deklasifikim të plotë dhe automatik të të gjithë dokumenteve të ish-sigurimit të shtetit. Iu heqim nga dora shantazhuesve mjetin me të cilin bëjnë shantazh:, tha Alibeaj.
Dy nismat e PS-së dhe PD-së janë kundërshtuar nga Partia e Lirisë. Deputetja Erisa Xhixho tha se Autoriteti i Dosjeve ka vepruar në mënyrë të paligjshme, pasi sipas saj ka kërkuar hapjen verifikimin e figurës së pastërtisë së politikanëve nga një e-mail anonim. Xhixho akuzoi Autoritetin e Dosjeve se po përdoret si mashë nga Partia Socialiste për të shantazhuar kundërshtarin politik.
Nga ana tjetër, deputeti Fatmir Mediu ka kërkuar që të mos hapen dosjet e ish-sigurimit për të përndjekurit politikë, me argumentin se do t’iu shkaktohet një dhimbje e madhe. Kërkesa nuk gjeti konsensus nga opozita, ku Alibeaj deklaroi se e mirëkupton Mediun, por ka ardhur koha që e vërteta të dalë në shesh.
Kjo nismë e socialistëve dhe demokratëve vjen pasi Autoriteti i Dosjeve i raportoi Kuvendit se pas sinjaleve në e-mail nga një qytetar që kishte tentuar të arratisej nga vendi pak para viteve ’90 kishte faktuar se ish-presidenti Ilir Meta ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit, pra kishte spiunuar te Sigurimi planin e arratisë së shokut të tij, pretendim që vetë Meta, tashmë kreu i Partisë së Lirisë, e ka mohuar.