Frrok Çupi/
Takimi është mbajtur sot mbasdite, në vilën qeveritare të Durrësit. Në fakt nuk ka qenë sekret, përderisa u fotografua dhe u filmua; dhe në fund zoti Nano foli para medias rreth takimit.
Nga fjalët që tha zoti Nano- lider historik i PS dhe kreyministër disa herë me mandat të majtë, u duk se takimi nuk kishte arritur ndonjë gjë të madhe, ose të paktën Nano ndjehej nervoz. Ai përsëriti një frazë të thënë nga Rama në kushte euforie pushteti: “nuk keni parë gjë akoma”, dhe pastaj i pyetur për timonin, bëri një frazë triumfalizmi ndaj Ramës: “Nuk është timon, është destinacion”- tha.
Tone kaq të larta për një takim të tillë të thjeshtë do të ishin të vlefshme sikur të niste Lufta e Tretë dhe Shqipëria të ishte në qendër të vendimit për Luftën. Por nuk është kështu. Është vetëm një qëllim i thjeshtë: Që PS ose Rilindja t’i marrin përpara të gjithë të tjerët dhe të qeverisë i vetëm zoti Rama.
Më siguri, takimi ka këtë vlerë. Fatos Nano është thërritur në ndihmë të Edi Ramës, për t’i prurë atij socialistët e dëshpëruar gjatë “Rilindjes” që të votojnë Ramën. Shumë socialistë, të pakënaqur nga Rilindja, që në fakt ishte një ‘syth’ i PS por jo vetë PS, mund të mos votojnë kësaj here për Ramën. Kryeministri aktual e di se ata kanë lidhje të forta me Fatos Nanon, lider historik dhe format socialist i stilit të kohës.
Por a e ka marrë përsipër zoti Nano përgjegjësinë që të bëhet ndihmës i Ramës për të mbledhur në ‘koshere’ bletën socialiste të çorientuar? Kjo është çështja. Por kjo varet shumë nga oferta që mund të ketë bërë Rama ndaj zotit Nano…
Rama e di mirë se aspirata e Fatos Nanos është që të bëhet president i Republikës; aspiratë që u pre në mës pikërisht nga Edi Rama. A mund t’ia japë kësaj here këtë ‘gradë’ në shpërblim të grumbullimit të socialistëve?
Nuk është e pamundur, sidomos në këto kushte kur Rama ka edhe një marrëveshje me PD-në në opozitë deri më 18 maj. Tani zoti Rama mund ta shpërblejë liderin e shpallur ‘armik të egër’, me postin e presiden tit. Por si? Duke hequr nga ai post presidentin e sapo zgjedhur Ilit Meta…
Arrihet kjo?
Arrihet, ose duke e kërcënuar Metën me mjetet e “Vettingut”, gjë që do të dojë kohë dhe argumente.
Arrihet që të zhvendoset zoti Meta me një deklaratë të përbashkët parlamentare mes PS dhe PD, por në Kuvendin e ri, se ‘presidneti është i paligjshëm’ meqë u zgjodh në kohë krize dhe me vetëm njërën anë. Por sa do të ‘hahet’ kjo nga aleatët?
Arrihet, duke e shkarkuar zotin Meta nga posti i Presidentit për ‘shkelje të rëndë të Kushtetutës” menjëherë sapo të formohet Kuvendi i ri në shtator…
Por përsëri dalin dy pyetje shumë të vështira:
E para: A është aq naiv Fatos Nano sa të besojë se kjo do të arrihet në një të ardhme që nuk dihet, (dmth., ta bëjnë presidnet) dhe më parë ky të bëjë investimin e madh në favor të Edi Ramës? Nuk i dihet.
E dyta: Nuk dihet se sa deputetë merr LSI e Metës. Mund të ndodhë që si socialistët edhe demokratët ta lusin Metën për koalicion pas zgjedhjeve. Atëherë ku mbetet premtimi për Nanon president?
… Ishte një mbrëmje e ngatërruar dhe në nxitim, si para inaugurimit të sheshit të ‘lali Erit’ në Tiranë. Rama nuk ka zgjedhur pa mend atë moment; por me planin për t’i thënë: “Kaq kisha, Fatos, më duhet të shkoj në inaugurim… Mendohu e më thuaj”.
Veritas.com.al/