Nga Ardit Rada

Teksa pak kohë na ndajnë nga hapja e kampit në Gjadër, agjentët italianë  të cilët pritet të mbërrijnë javën e trët të gushtit për mbikëqyrjen e qendrave të emigrantëve, duket se janë trajnuar mbi shumëçka. Në një rregullore të publikuar nga mediat e vendit fqinj, ky trajnim madje ka kaluar disa limite në kufijtë e fantazisë, por edhe të fyerjes ndaj shqiptarëve.

Manuali i publikuar përmban disa pika që për shumëkënd do të ishin edhe qesharake. Fjala bie, u mësohet policëve të mos dalin lakuriq në publik a thua se po të ishin në Francë do të zhvisheshin. Duket sikur disa policë europianë po mësohen si të sillen me fiset e humbura të Australisë që s’kanë parë human tjetër prej shekujsh. A thua se nuk na ndan një det dhe i kemi patur italianët këtu në dy palë pushtime në shekullin XX. A thua se nuk i njohin shqiptarët që kanë atje prej 30 vitesh.

Rregullorja përmban disa pika që në thelb kanë të bëjnë me sjelljen. Duket si një tentativë për të ruajtur disiplinën e policëve, por që ekzagjerimi lë një shije të hidhur tek ne, mikpritësit.

“Si fillim, “shmangni qasjen ndaj grave shqiptare. Një burrë që e sheh gruan e tij të kuruar nga një burrë tjetër, mund të reagojë keq”. Dhe ndërsa jemi në të, duke qenë se këta janë “një popull modest, lakuriqësia apo veshja e papërshtatshme në publik nuk është e mirëseardhur””, nënvizohet në udhëzuesin për policët italianë.

“Konsumimi i kafes nuk është në banak por vetëm ulur”, “Në restorante, rrini në menu, kërkesat për ndryshime nuk janë të mirëpritura”. Dhe, në fund, rekomandimi i rekomandimeve: “Kini kujdes se si flisni… pothuajse të gjithë shqiptarët dinë italisht”.

E çuditshme mbi të gjitha mbetet fakti sesi ia bëjnë ata qindra mijëra turistë italianë që po pushojnë në brigjet tona pa një manual në xhep? Cili prej tyre është përballur me ndonjë pasojë pse ka folur italisht në publik, apo ka pirë kafe në banak? Ah po! Po ike me vrap pa paguar faturën, atëherë po nuk te fal shqiptari. Detyron vet kryeministren italiane ta paguajë e të kërkojë falje. Por ky episod i ndodhur vjet vërtetë s’ka të bëjë me përplasje kulturash, por me sjelljen që mësohet që në kopësht. Për kaq ka nevojë një i huaj për të punuar e jetuar në paqe në Shqipëri.