Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku nuk ka bërë asnjë koment sa i përket akuzave të Partisë Demokratike për dosjen penale në Greqi. PD publikoi sot dokumentet e autoriteteve greke ku vërtetohet, sipas saj, akuza për falsifikim parash ndaj Kajmakut.
Por ndonëse vetë kryebashkiaku ka zgjedhur të mos flasë për momentin, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu tha se burime nga Partia Socialiste kanë thënë jozyrtarisht se “Kajmaku ka prova që vërtetojnë faktin që ai nuk është personi i akuzuar nga PD.”
Agim Kajmaku akuzohet se në vitin 2003 ka përdorur 4850 euro false gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, duke iu referuar Prokurorisë së shtetit fqinj deklaroi se për krimin e kryer Kajmaku, duhej të dënohej me 10 vite burg, por vendimi ndaj tij nuk u ekzekutua për shkak se ai u arratis nga shteti helen, kur autoritetet greke vendosen ta merrnin si të pandehur për falsifikim parash.
VERITAS.COM.AL/