Frrok Çupi/
Nëse nuk i shikoni me lot në sy, të paktën i shikoni të tërbuar; kastat edhe lotët ia kalojnë atyre njerëzve të mashtruar rreth tyre dhe që i quajnë ‘popull’. Kastat e vjetruara të Shqipërisë nuk duan të largohen, prandaj iu japin dy lek ose iu qajnë ndër gjunjë njerëzve naivë dhe i sjellin në Tiranë për të djegur ‘Bastijën’. Brenda në Bastijë është edhe vetë vepra e tyre tridhjetëvjeçare, që ua ka nxirë jetën këtyre njerëzve të mashtruar dhe që kur i mbledhin në aritmetikën e tyre, i quajnë ‘popull’.
Edhe sot, domethënë edhe një herë tjetër, në një të nxehtë vdekës, kastat e pamëshirshme kanë thërritur ‘popullin’ në ‘Bastijë’ me qëllim që të bëjnë zhurmë, të venë zjarre dhe vetë të fshihen pas ‘budallenjve’. Budallenjtë i kanë mbajtur më këmbë kastat tërë jetën e jetës, botërisht.
Ja ku janë kastat tona dhe piramida e njerëzve të përdorur që po i quajnë ‘popull’:
Presidenti i Republikës, qëkurse ka lindur, nuk e mban mend veten jashtë zyrave të larta të shtetit. 30 vjet anëtar i Parlamentit, që në moshën 20 vjeç. Pastaj ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Ekonomisë, nën- kryeministër me primer zotin Berisha, pastaj kryeministër, pastaj kryetar i Kuvendit dhe tani president i Republikës. Ka ardhur dita që të largohet, (fatmirësisht për ata njerëz naivë që quhen popull), por ky nuk e pranon ‘gjallë a vdekur’. Ka bërë të gjitha të këqijat e mundshme duke përdorur edhe dekretet presidenciale si kallashnikov kundër popullit dhe kundër paqes, por nuk e ka ndezur akoma vendin; te zjarri u qëndron shpresa dhe vdekja njëkohësisht.
As ky, as e shoqja, politikane dhe kryetare e partisë së tij familjare, nuk dihet çfarë dinë të bëjnë; as kanë profesion, as kanë kulturë, as kanë ndjeshmëri dhe limite në korrupsion. E shoqja, Monika, ka mbledhur gjithë zeherin e familjes dhe ua hedh përnatë njerëzve në fytyrë që nga ekranet ose që nga fusha e molotovëve.
Basha i PD, një ardhacak i dyshimtë në politikë, u bë 14 vjet që rri si hije para fytyrave të njerëzve ‘naivë’ dhe shërben një ‘bos’ të padukshëm. Djalë ‘i bukri i dheut’, por pa asnjë vlerë si lider as si politikan. Nuk dihet nga erdhi; thonë se nga Holanda, por në Holandë ka edhe bare striptizmi me të cilat nuk mund të dominosh një komb të lashtë si shqiptarët. Ka provuar të gjitha portofolat qeveritare ku nxirren para dhe ku bëhet trafik influencash: ministër transportesh, ministër i jashtëm, ministër i brendshëm, kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe lider i opozitës. Të gjitha i janë dhuruar ose janë vjedhur votat e popullit e të partisë dhe i janë dorëzuar Lulit. Tipik pjesë e kastave anti- humane oficiale.
Plus qindra të tjerë në Kastë, jo vetëm këta.
Tani prapë ja ku janë; as që pranojnë të largohen. I bien këmbës dhe i vënë zjarrin vendit sapo shikojnë se ‘dita po afron’.
Po boll më, tepër- madje!; kombi nuk duron më. Për fat të mirë, në krah të kombit tonë edhe kësaj here u ndodhën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qytetërimi Evropian. Aleatët perëndimor kanë fokusuar vëmendjen mbi kombin tonë që ta shpëtojnë nga kastat e korruptuara; dhe kjo është fitorja e vërtetë. Një lexuese e ‘Veritas’ sot shkruante nën lajmin se ‘po ngrihet Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit’, kështu: ‘Ta besojmë? Atëherë ajo ditë duhet shpallur festë kombëtare’. Boll më Kasta!; hapni rrugën e lëreni kombin të marrë frymë. Ka këtu djem e vajza të reja, të pa zhytur në krime, madje as kanë idenë të mjelmin gishtin në krim…
Si gjithë bota e përparuar të bëhet, bota ku kastat nuk kthehen në hijena; lëreni edhe kombin tonë të shërohet prej jush, kasta të llahtarshme! Bota e përparuar, prej shekujsh nuk ka kasta; po na turpëroni ekzistencën kombëtare. A prapë do t’i rrini kombit në zverk? A prapë do të thërrisni ‘budallenjtë’ që të luftojnë në shesh për ju dhe ju të mbroheni nën një guaskë e mishtë njerëzore?. Të mbroheni përballë ligjit dhe Drejtësisë?! Sa çnjerëzore….
Atëherë vjen pyetja: Pse qajnë Kastat kur janë duke rënë? Sepse humbin atë që kanë përfituar në mënyrë kriminale. Të paktën të qajnë e të ikin… Por po bëjnë një komb të tërë të derdhë lot … Kastat qajnë dhe tërbohen sepse po ushqehen në trupin e kombit dhe në gjakun e ‘budallenjve’ që i ushqejnë. Pa mendo sikur të mos e kenë këtë ‘gjak thithje’… Atëherë Kastat vdesin… Ja pra, prandaj.
VERITAS.COM.AL/