Nga L. Skiro/

Kam lexuar ‘lajme’ në formë këshillash, nga më të çuditshmet, për qytetarët se si të festojnë Vitin e Ri. Jam ndodhur në mëdyshje: Vallë mediat e kanë fajin që e fyejnë njeriun deri në pikën sa t’i thonë: “Rrri kështu në tavolinë!”, “Mos ha shumë”, “Mos pi shumë”, apo vetë qytetarët kanë nevojë për këso këshillash.

Një çudi e madhe çfarë po ndodh…

Nganjëherë më kujtohen vitet e socializmit me ‘tallona’, kur vërtet njeriu binte në ushqim dhe nuk dinte të ndahej; dhe kjo ishte festa e vitit të ri. Viti i Ri kishte marrë konotacion komunist, ndoshta edhe për arsyen se ‘tavolina ishte komuniste e bollshme’.

Po pse tani? Pse tani këshillohen njerëzit që të mos hanë shumë se ndryshe ‘mbushen spitalet’.

Më  duket se si media edhe qytetaria kanë defekte të përbashkëta; dhe prandaj japin këshilla “të turpshme” si kjo që ‘mos hani shumë”.

Por edhe Policia e Shtetit ka rënë në të njëjtën gropë. Ajo ka këshilluar qytetarët që të mos pinë alkool kur ngasin makinën. Po si mund të jepet kjo këshillë? Përderisa dihet se kur nget makinën duhet ta keshë mendjen të freskët. Kur dihet se kjo nuk është kërkesë e festave, por kërkesë e ligjit.

Atëherë, çfarë lë për të nënkuptuar Policia: Që ditët e tjera edhe mund të shkelet ligji?

Jemi sot para natës së ndërrimit të viteve dhe me këtë rast Policia e Shtetit dëshiron edhe njëherë të vendosë këtë komunikim me qytetarët shqiptarë, lidhur me masat që ajo ka planifikuar me qëllim, krijimin e një mjedisi të sigurt për ta, parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale në të gjithë territorin e vendit, rritjen e sigurisë në akset kryesore rrugore, kryerjen e veprimeve efikase në parandalimin, zbulimin dhe goditjen e autorëve të veprave të ndryshme penale.

Policia njofton:

“Nga ana e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, në veçanti sot është vlerësuar maksimalisht marrja e masave të sigurisë, për të përmbyllur me sukses misionin e tyre për garantimin e një feste të qetë dhe pa probleme, për rritjen e sigurisë në komunitet në të gjithë territorin e vendit, parandalimi i ngjarjeve të ndryshme kriminale, kontrollin e plotë të territorit, nga të gjitha strukturat e policisë, të cilat vazhdojnë me shërbim 12 orësh, duke zbatuar detyrimet në kuadër të gatishmërisë “Shërbim i përforcuar”.

 

 

Në këtë natë të ndërrimit të viteve Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të jenë të kujdesshëm në:

Përdorimin e fishekzjarrëve, duke evituar përdorimin e tyre nga fëmijët.

Evitimin e alkoolit nga drejtuesit e automjeteve dhe nëse ata kanë përdorur pije alkoolike të mos përdorin automjetin”.

Kur lexon këto të duket se jemi në një shoqëri infantile.

Por ndoshta edhe në këtë rast Policia ka arsyetuar disa ‘të drejta’ për të dhënë këshilla.

 

Veritas.com.al/