(FOTO: Presidenti i Serbisë, Vucic (majtas) dhe presidenti i Turqisë, Erdogan. Arkiv)
Nga: Laert Skiro/
Sot presidenti i Turqisë, Erdogan, zbret në aeroportin e Beogradit për një vizitë tre-ditore në kryeqytetin e Serbisë. Nuk ka njoftim zyrtar mbi agjendën e presidentit turk të alternuar në ‘sulltan’ pas ndryshimeve kushtetuese; por vetë vizita nga data 9 deri në 11 tetor në një kryeqytet ballkanik, duket se fsheh pas saj agjendë të gjërë.
E vetmja gjë që është bërë e ditur deri tani është se Erdogan do të zbresë në Beograd me 50 roje sigurie personale që do ta shoqërojnë përgjatë gjithë kohës. Gjithashtu edhe policia e Serbisë ka angazhuar forca të shumta për ruajtjen e presidentit turk.
Erdogan nuk zbret sot në Beograd sipas një protokolli të njohur t një vizite burri shteti. Ai nuk vjen me një avion të vetëm, por me disa avionë. Numri më shumë se dy i avionëve turq është justifikuar me shoqërimin e presidentit prej një grupi rreth 130 afaristë të mëdhenj. Me sa kuptohet, delegacioni turk ka lënë të nënkuptojë ‘peshën’ e madhe të tij.
Vizita e presidentit turk në Beograd ka disa hije pas.
E para, sepse duket si një ‘rrotullim rreth vetes’. Erdogan ka shprehur përkrahje të veçantë për shtetet ballkanike me popullsi myslimane; madje nuk ka hezituar edhe të paraqesë një lloj projekti ‘otomanik’ mbi këto zona. Ai ka thënë hapur se shtetet myslimane të Ballkanit janë ‘Turqi’. Deklarata të tilla kanë lënë hijen e një kërkese ‘otomane’ për separatizëm ballkanik në emër të fesë myslimane, me idenë e shkëputjes ose të kundërvënies ndaj ortodoksisë me qendër në Beograd. Ndërsa sot vetë Erdogan zbret në qendrën e ortodoksizmit. Cilat do të jenë kërkesat dhe koncesionet e ‘sulltanit’ të Turqisë në Beogradin ortodoks?Një nga pikat delikate ballkanike, sipas vizionit të Serbisë, është statusi i Republika Srpska në Banjaluka. Sipas marrëveshjes së Daytonit në Shtetet e Bashkuara, krahina ortodokse ka mbetur në kompozimin e shtetit të Bosnjë Hercegovinës. Në qoftë se Erdogan merr iniciativën që të negociojë mbi shkëputjen e Republika Srpska nga shteti i kompozuar në Dayton, atëherë me këtë rast ‘zgjon dy strofka”. E para është koncesioni ndaj Serbisë që të njohë pavarësinë e Kosovës; e dyta është një goditje e idesë perëndimore se në “Ballkan nuk ka më ndryshim të kufijve”.
Por më shumë goditet politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin.
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, kohët e fundit kanë pësuar goditje, sado të vogla, por të shënueshme. Të dy shtetet, ditët e fundit, kanë pezulluar disa veprime konsullore në përfaqësitë reciproke diplomatike. Në hije vazhdon të qëndrojë mosmarrëveshja për deportimin nga Amerika të klerikut turk Fetullah Gulen, mik i hershëm i Erdogan, por që tani i kërkon kokën me akuzën sikur Gulen i paska nxitur grushtin e shtetit pë përmbysjen e Erdogan.
Edhe ndaj Bashkimit Europian, zoti Erdogan ka dëshmuar sfidë. Ai ka thënë se ‘kur nuk deshët ju të na bënit anëtar, tani nuk kemi pse bëhemi ne”.
Beogradi është një nyje ku lidhen politikat dhe akset mes Perëndimit dhe Lindjes. Analistët e kanë përshkruar si një pikë kyçe për interesat e Rusisë; ndrysa kancelarja gjermane Merkel ka treguar politika kujdestare dhe ‘amësie’ ndaj Beogradit.
Vizita e gjatë, (si në shtëpinë e dajës), e Erdogan në Ballkan, pritet të ketë pas plane për të ndihmuar politikat e Rusisë. Marrëdhëniet e lëkiundura të Turqisë me Rusinë, për shkak të Sirisë, tashmë janë ngrohur mjaft. Vetë presidenti Rus, Putin, para pak ditësh, thuajse ‘jashtë agjendës’ mori rrugën drejt Ankarasë për të biseduar me Erdogan…
Nuk kaluan veçse pak ditë që Erdogan mori rrugën me shumë avionë drejt ‘zonave për zemër ‘ të Rusisë, me qendër në Beograd.
Veritas.com.al/