Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, zhvilluan një takim kokë më kokë në Shenzhen, një ditë përpara samitit të parë trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump, i planifikuar për të enjten, më 19 nëntor. Ky është takimi i pestë mes dy liderëve gjatë këtij viti.
Sipas Kremlinit, Putin synon ta informojë Xi-në në detaje për bisedimet e fundit mes Moskës dhe Uashingtonit lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Takimi dypalësh u jep dy udhëheqësve mundësinë të përafrojnë qëndrimet përpara se në tryezë t’u bashkohet presidenti amerikan.
Megjithatë, vëmendja kryesore është përqendruar te takimi i tre liderëve. Trump pritet të diskutojë me Xi-në edhe çështje që Pekini mund të preferojë t’i shmangë, përfshirë kontrollin e armëve bërthamore. Kina ka shmangur deri më tani diskutimet për zgjerimin e shpejtë të arsenalit të saj bërthamor gjatë dekadës së fundit.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotërojnë secila rreth 5 mijë koka bërthamore, ndërsa Kina rreth 600. Megjithatë, ritmi dhe përmasat e zgjerimit të arsenalit kinez po shkaktojnë shqetësim në Uashington.
Nga ana e tij, Putin ka deklaruar se pret që takimi trepalësh me Trumpin dhe Xi-në të sjellë “një përfitim të konsiderueshëm potencial”. Për udhëheqësin rus, vetë zhvillimi i këtij samiti përbën një arritje diplomatike. Disa gazeta ruse e kanë cilësuar takimin si një “fitore diplomatike” për Putinin, thjesht për faktin se ai po zhvillohet.
Pas sulmit në Ukrainë në vitin 2022, Putin u përball me izolim ndërkombëtar dhe udhëheqësit perëndimorë kërkuan ta mbanin atë jashtë tryezave diplomatike. Në vitin 2026, ai pritet të ulet në të njëjtën tryezë me udhëheqësit e dy fuqive të mëdha botërore.
Megjithatë, analistët mbeten të kujdesshëm për rezultatet e mundshme të këtij takimi. Rusia vijon të refuzojë një armëpushim gjithëpërfshirës në Ukrainë dhe vazhdon luftën kundër vendit fqinj, pa bërë kompromise të rëndësishme në këtë drejtim.
Ndërkohë, Kina synon të arrijë një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, për të shmangur përsëritjen e një lufte tarifore. Nga ana tjetër, Uashingtoni kërkon që Pekini të krijojë më shumë mundësi për bizneset amerikane përpara nënshkrimit të një marrëveshjeje përfundimtare.
Takimi mes tre liderëve konsiderohet i paprecedentë, por, duke pasur parasysh numrin e madh të çështjeve që pritet të diskutohen dhe kohën e kufizuar, pak analistë presin rezultate konkrete apo hapa të rëndësishëm përpara.
Putin, Xi dhe Trump ndodhen në Kinë për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që zhvillohet më 18 dhe 19 nëntor.
Komente