( Foto: Arkiv)/

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka falënderuar homologun amerikan Donald Trump për informacionet e zbulimit që e ndihmuan të zbulonte akte terroriste në territorin rus.

Kjo konfirmohet nga vetë Kremlini. Putin dhe Trump sipas Kremlinit, kanë biseduar në telefon të dielën. Kremlini tha se informacioni është marrë përmes shërbimeve të inteligjencës por nuk dha më shumë detaje. Mediat ruse raportojnë për zbulimin e një komploti për një sulm në San Petërburg gjatë periudhës së ndryshimit të viteve.

Agjencia ruse e lajmeve Tass, thotë se dy shtetas rus janë arrestuar dhe janë konfiskuar planet për një sulm në një tubim masiv në qytet.

Putin dhe Trump kanë biseduar në telefon dhe ballë përballë disa herë që kur ky i fundit është zgjedhur president. Protokollet e takimeve dhe bisedave tregojnë se ata kanë biseduar shpesh për Sirinë, por edhe për marrëveshjet bërthamore, Korenë e veriut dhe tregtinë. Në dhjetor 2017, Putin falënderoi presidentin amerikan Trump për një tjetër paralajmërim nga agjencitë amerikane të inteligjencës, që kishin ndihmuar në evitimin e një tjetër sulmi terrorist në San Petërburg.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës u dëmtuan pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina. Ndërkohë që për përkeqësimin e tyre ndikoi edhe një raport i agjencive amerikane të zbulimit sipas të cilave Kremlini kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Pavarësisht kësaj, Trump dhe Putin, janë shfaqur disa herë në marrëdhënie të mira personale ndërsa kanë premtuar se do të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit. Trump madje po merr në konsideratë edhe pjesëmarrjen në festimet e ditës së fitores në Moskë, majin e ardhshëm, pas një ftese të liderit rus.

VERITAS.COM.AL/