Shqipëria ka dënuar referendumet e mbajtura për 4 rajonet e Ukrainës, Donesk, Luhanks, Zhaprozhzhia dhe Kherson. Ministria e Jashtme e vendit tonë thekson se nuk do të njohë rezultatet e përcaktuara nga Rusia në këto rajone. Institucioni kyç për marrëdhëniet ndërkombëtare thekson se çdo aneksin i territorit të një shteti në një shtet tjetër sovran, është shkelje e parimeve e Kartës së OKB. Sidoqoftë, Putin ka shpallur zyrtarisht aneksimin e 4 rajoneve ndërsa theksoi se nuk ka për ti dorëzuar kurrë. Putin gjithashtu në deklaratat e tij u shpreh se Perëndimi është përgjegjës për sabotimin e Nord Stream si dhe dënoi ashpër zgjerimin e NATO-s në lindje.

Shqipëria dënon referendumet e rreme të organizuara nga Rusia në Ukrainë dhe nuk do të njohë rezultatet e tyre të paracaktuara.

“Çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër, që vjen si pasojë e kërcënimeve ose nga përdorimi i forcës është shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.’- thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme.

Edhe në përfaqësinë tonë si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB Xhaçka theksoi se Shqipëria mirëpret vendimin e Presidencës franceze dhe tha se veprimet e Rusisë janë në shkelje flagrante me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Shefja e diplomacisë theksoi ndër të tjera se e drejta ndërkombëtare është e njëjtë dhe e detyrueshme për të gjithë dhe se Rusia ka zgjedhur të injorojë atë. Ashtu sikundër perëndimi u përgjigj ndaj këtij agresioni, edhe Xhaçka e cilësoi ndërhyrjen e Moskës në Kiev, shkelje flagrante e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe një shkelje e rëndë e Kartës së OKB-së.

Mbështetja shqiptare për Ukrainën ka qenë qysh më 24 shkurt, kur trupat rusë vërshuan drejt Kievit të armatosur, me urdhër të Presidentit rus, Vladimir Putin. Vendi ynë, ashtu si dhe perëndimi vendosi sanksione ndaj Rusisë agresore dhe dënoi publikisht ndërhyrjen ushtarake të Rusisë.