Pas ngjarjes në Porcelan ku humbën jetën dy qytetarë nga një ‘çmenduri automobilistike’, burime të policisë bënë me dije për Top Channel, se prej të shtunës, rrugët e Tiranës do të monitorohen me radarë të tipit TrueCam. Dy qytetarë u ndanë nga jeta të goditur nga një makinë që la rrugën e vet dhe iu sul këmbësorëve në afërsi të Xhamllikut në Tiranë.

Erjon Balla 36 vjeç dhe Hidaete Salliu 73 Vjeçe, të dy këmbësorë, u ndanë nga jeta pasi u bënë pjesë e një aksidenti ku u përplasën dy makina. Në këtë aksident të rëndë, ekspertët e sigurisë rrugore i shohin në shkelje të dy drejtuesit e mjeteve.

Eksperti Ziçishti, po ashtu thotë se mungojnë edhe sinjalizimet.

“Duhet të sinjalizohet për kthim. Lejohet apo jo kthimi nga e djathta në të majtë. Tabela e këmbësorëve është vendosur pingul me vijat e bardha, që duhet të ishin disa metra më përpara.

Të dy drejtuesit e mjeteve të cilët u arrestuan pas ngjarjes Edmond Murati dhe Etjon Lazri, duhej që të shtunën të përballeshin me masën e sigurisë në gjykatë, por seanca u shty për të dielën për shkak se prokuroria nuk kishte paraqitur kërkesën.

Pas kësaj ngjarjeje, burime të policisë bënë me dije për Top Channel, se prej të shtunës, rrugët e Tiranës do të monitorohen me radarë të tipit TrueCam. Këtij radari, i fiksohet një shpejtësi e caktuar mbi atë të lejuarën në rrugë, dhe të gjithë ata që do të ecin mbi këtë normë do të gjobiten automatikisht.

E po ashtu, mbrëmjen e së premtes, gjatë kontrolleve të policisë në autostradën Tiranë-Durrës, u arrestuan dhjetë drejtuesish mjetesh, 6 pa leje drejtimi dhe 4 në gjendje të dehur.

Limiti i shpejtësisë në këtë rrugë është 90km/h, por për disa shoferë nuk ka mjaftuar.

Veritas.com.al/