Nga shfaqja e Homo sapiens-it, u deshën afërsisht 300 000 vjet para se Toka të popullohej nga një miliard njerëz. Kjo shifër u arrit në vitin 1804, vit kur u zbulua morfina, kur Haiti shpalli pavarësinë nga Franca dhe kur Beethoven performoi për herë të parë Simfoninë e tij të Tretë në Vjenë.
Bazuar në të dhëna demografike, aktualisht, sipas Kombeve të Bashkuara, bota ka kaluar shifrën e 8 miliardë personave. Gjithsesi, kjo analizë ka hasur në vështirësi dhe pasiguri, pasi në disa pjesë të botës, të dhënat e regjistrimeve janë disa dekada të vjetra. Gjatë Covid-19 ishte praktikisht e pamundur për disa vende të regjistronin çdo vdekje. Edhe modelet e sofistikuara kompjuterike mund të kenë qenë jashtë funksionit për një vit ose më shumë. Megjithatë, OKB-ja shpalli 15 nëntorin si “Ditën e Tetë Miliardëve”.
Sfidat e së ardhmes
Njerëzit kudo po jetojnë më gjatë, falë kujdesit më të mirë shëndetësor, ujit më të pastër dhe përmirësimeve në infrastrukturë, faktorë që kanë reduktuar përhapjen e sëmundjeve. Plehrat dhe ujitja kanë rritur rendimentet e të korrave dhe kanë përmirësuar ushqimin. Në shumë vende po lindin më shumë fëmijë dhe shumë më pak po vdesin.
Sigurisht, sfidat me të cilat përballemi teksa popullsia e botës vazhdon të rritet, janë të shumta. Ndotja dhe peshkimi i tepërt po degradojnë biodiversitetin e deteve dhe oqeaneve. Jeta e egër po zhduket në mënyrë alarmante, pasi njerëzit po dëmtojnë pyjet dhe tokat bujqësore. E ndërsa kërcënimi më i madh mbetet ndryshimi klimatik, që po vë në diskutim të ardhmen e shoqërisë. A do të ketë zgjidhje për këto kriza?
“Deri më tani, nga përvoja e përgjithshme, bota ka treguar se ka qenë e suksesshme me përshtatjen dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet tona. Duhet të jemi optimistë. Thjesht mbajtja e status quo-së dhe të mos bësh asgjë, nuk është një opsion. Duam apo nuk duam, ndryshimet do të ndodhin dhe situata nuk do të përmirësohet vetvetiu. Ka nevojë për ndërhyrje aktuale dhe të ardhshme.”
*Patrick Gerland, ekspert në Departamentin e Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të Kombeve të Bashkuara