Prej kohësh ka plasur një polemikë mbi mediat; por këtë e nxiti më shumë një mbledhje e BE mbi trajtimin e mediave. Si opozita edhe qeveria duan t’i bëjnë sa më shumë qejfin medias- por secili në mënyrën e vet. Opozita nga pozita e mbrojtjes së medias ‘nga dhuna qeveritare’ ndërsa qeveria “e sinqertë” duke i zbuluar defektet medias. Secila ka nevojë për median, aq më shumë opozita që ka mbetur vetëm.
Sot u zhvillua një debat në distancë mes kryetarit të PD, Basha, dhe kryetarit të qeverisë, Rama.
Lulzim Basha:
“Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
Shefi i opozitës thotë se kjo klimë që krijon Edi Rama inkurajon kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin.
“Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme”, shkruan Basha.
Kryetari i PD-së i ka bërë thirrje qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë këtë “sjellje kriminale të kryeministrit” si dhe iu është drejtuar organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që “të dënojnë këtë gjuhë urrejtjeje dhe të dhunshme të kryeministrit”.
Edi Rama:
Kryeministri Rama i është përgjigjur “flakë për flakë” rivalit të tij në opozitë, Lulzim Basha.
“LB, ishe ti apo isha unë në Çadër, kur ulërije “të gjitha mediat janë të kapura nga droga përveç një kanali tv”, të cilin ia rekomandoje publikut si burim të kulluar?! Unë kurrë s’e kam imagjinuar, jo më ta them një veshëgjatllëk të tillë. Është thjesht shpifje!” shkruan Rama në rrjetet sociale.
Ai i ka kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike t’u kërkojë falje mediave që “i dekriminalizoi me baltën e Çadrës për muaj të tërë”.
Rama i ka kujtuar Bashës se është një njeri që vjen nga media.
“Mos e harro, unë kam jetuar me ta, kam punuar me ta, kam ngrënë kopaçe kokës e më ka dalë edhe gjak për lirinë e fjalës bashkë me ta. Apo s’e mban mend?! Kështu që nga unë e nga fjalët e mia dje, sot e mot, atyre mund t’u dalë më shumë vrer nga goja kundër meje e qeverisë sime, po kurrë nuk u ka hyrë, nuk u hyn e nuk t’u hyjë një gjemb në këmbë. Kurrë”, vijon Rama.
Rama ka bërë edhe një shpjegim të thelbit të fjalimit të tij.
“Gojë s’kanë vetëm ata dhe gojën time e kam pasur, e kam dhe do ta kem sa të kem frymë, për të vërtetat e mia që nuk i negocioj e as i kyç në heshtjen hipokrite të medemek respektit për median!… Të respektosh median, do të thotë të respektosh lirinë e tyre edhe kur gënjejnë e shpifin, po jo të heshtësh edhe kur gënjeshtrat e shpifjet e tyre bëhen mal para syve të tu”, shkruan Kryeministri.
Rama akuzoi Bashën se po shpif prej një muaji e ca dhe se po bëhet qesharak.
Veritas.com.al/