
Parlamenti duhet të nis punën për hartimin e një reformë të re zgjedhore.
Nga Korça, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, kërkoi nga mazhoranca të ndërmarre hapa për një ligj të ri zgjedhor, tanimë që i ka numrat, për të kaluar e vetme ligje me shumice të cilësuar.
Sipas kryediplomatit te Brukselit, kjo reforme, vjen edhe si pjesë e angazhimeve për integrimin në Bashkimin Europian.
“Mendoj se Brukseli foli qartë lidhur me zgjedhjet e 11 majit ne Shqipëri. Është koha që qeveria dhe parlamenti shqiptar të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë rekomandimet e shkuara dhe të tashme. E në fakt rezultati i jep një përgjegjësi më të madhe qeverisë që të ndërmarrë këtë reformë sepse i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u futur në BE”, tha ai
Një koment Gonzato e kishte edhe për pretendimet e opozitës. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri tha se cilado parti që mendon se i janë vjedhur votat, të vetmen rrugë ka raportimin tek organet kompetente.
“Do doja të thoja që çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, patjetër le ti raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim”, tha ai.
Bashkimi Europian i ka cilësuar zgjedhjet e 11 majit gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke vlerësuar ato konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht.
Komente