Prioritetet për vitin  2019 janë në fokusin e qeverisë “Rama”, të mbledhur këtë të diele në qytetin e Elbasanit për një mbledhje informale.

Në një nga rrugët e Elbasanit, një grup i vogël militantësh të opozitës, mes të cilëve u duk deputeti i PD, Luçiano Boçi, protestuan kundër qeverisë.

Qeveria u mblodh duke manifestuar edhe një sfidë ndaj vonesave të presidentit të republikës për dekretimin e katër ministrave dhe hezitimin e tij për të shkarkuar ministrin e jashtëm Bushati.

Të pranishëm në mbledhje raportohet të jenë veç ministrave të kabinetit, edhe ish-ministrat apo ata që pritet të bëhen të tillë, pavarësisht se një ditë më parë disa ministra nuk u përfshinë në dekretimet e presidentit Meta.

“Ditë diskutimi për sfidat e 2019-s, sektor për sektor. Në fokus, rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendase; përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike; masat e reja antikorrupsion dhe rekrutimi në administratë i të rinjve me 9-10”, shkroi kryeministri Rama në Twitter vetëm pak pasi kishte nisur mbledhja e qeverisë.

Veritas.com.al/