“Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”

Ka qenë ky paralajmërimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në rast se tre policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia nuk kthehen brenda javës në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Qeverisë shqiptare ka bërë me dije masën ndaj Serbisë.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa!

Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”, shkruan Rama.

Megjithatë, nga ana tjetër, kryeministri vijon të mbetet i mendimin se e humbura e madhe në gjithë këtë mes, do të jetë Kosova, duke qenë se Serbia, sipas tij, mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar.

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar!

Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës!

Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, shkruan Rama.