Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti duke e akuzuar atë se po i “ngul thikë pas shpine” Kosovës dhe interesave të saj.
Ai ka renditur disa ngjarje, që sipas tij konfirmojnë linjën e gabuar që po ndjekë Albin Kurti, qoftë karshi qytetarëve ashtu dhe me aleatët e saj perëndimorë.
Ish-kryeministri thotë se do jete i pa kompromis në ruajtjen e vlerave perëndimore të Kosovës.
Të enjten qeveria ka miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk u garanton pension në vlerë të kësaj page veteranëve të luftës.
Kjo lëvizje për Haradinajn është e papranueshme pasi po përmbyset kategoria më e shenjtë e shoqërisë, që janë “luftëtarët e lirisë”.
Postimi i Ramush Haradinjat:
Qeveria po na ngul thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti. Zbardhja e koordinimit të fshehtë të përfaqësuesve të Albin Kurtit me armiqtë e shtetit të Kosovës, për të përmbysur kategorinë më të shenjtë – luftëtarët e lirisë, është thikë pas shpine.
Thikë pas shpine është edhe prishja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës, BE dhe SHBA, që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga “Defender 23”, duke e komplikuar tej mase aspiratën e Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.
Tërheqja e tij nga veriu, me një vonesë të pashpjegueshme dhe vetëm pasi që Kosova është futur nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-së, duke i shkaktuar kështu një dëm të pariparueshëm vendit, nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç si një politikë antishtetërore e antikombëtare.
Ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe dhuna e shpërfaqur aty, janë alarm se situata mund të përshkallëzohet, jo vetëm në Kuvendin e Kosovës por edhe jashtë tij.
Kosova nuk mund të qëndrojë e qetë, në kohën kur Qeveria e vendit, na e ngulë thikë pas shpine aty ku na dhemb më së shumti, në lidhjen më të shenjtë të Kosovës, me NATO-n, Amerikën dhe me kategoritë e lirisë.
Do të jemi të pakompromis dhe më të vendosur se kurrë në mbrojtje të interesave të shtetit e të qytetarit, aspiratës sonë për anëtarësim në NATO, në ruajtjen e miqësisë me aleatët tanë, Amerikën dhe BE e në mbrojtje të vlerave të lirisë sonë./