Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria do të marrë në përgjegjësi sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, për ta ndryshuar situatën që ai e quajti “hemorragji papërgjegjshmërie”.

Rama tha se me ndihmën e partnerëve do të bëhen skanime të të gjithë burimeve njerëzore, ndërsa i kërkoi kryebashkiakëve që të marrin masa vetë para se këto pasqyra të tregojnë gjëra që të mbeten në histori e humorit shqiptar.

“1 mld euro investime qeveria shqiptare dhe partnerët për ta zgjidhur një herë e mirë problemin me ujin, po si mund të shkojë uji 24 h kur humbjet shkojnë si në Vlorë gati 80%. Si mundet? Është e pamundur.

Ne kemi përgjegjësi që nuk mund ta shmangim dhe delegojmë dot më, duke ju thënë qytetarëve që ujësjellësin e ka bashkia, se qytetarët kërkojnë shërbimin s’duan të dinë kush e ka. Pjesa dërrmuese bashkive janë në shkelje të ligjit, por më e rënda është që përgjegjësinë e delegojnë te qeveria. Ne do ta marrim këtë përgjegjësi dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie duke iu lutur donatorëve që të përfshihen në këtë proces dhe me ndihmën e tyre do të bëjmë një skanim të të gjithë burimeve njerëzore.

Çfarë profili dhe kapacitetesh menaxheriale kanë drejtorët, të gjithë shefat e ujësjellësit, sa janë në profilin e tyre punonjësit e ujësjellësit dhe sugjerimi im do të ishte që t’i merrni masat vetë para se këto pasqyra të tregojnë gjëra që të mbeten në histori e humorit shqiptar, t’i merrni masat vetë”, tha Rama.

Rama: Marrin rrogë pa qenë fare në Shqipëri

Në fjalën e tij theksohet se “nuk do i bihet me top” votës së qytetarëve duke punësuar njerëz që marrin rroga pa shkuar në punë dhe bëjnë dëme ndërsa nuk ndodhen aspak në Shqipëri. Këtë e cilëson abuzim flagrant e fyes me votën.

Edi Rama: Me këtë tabelë të humbjeve duke filluar nga Vlora dhe duke shkuar teposhtë në pjesën më të madhe, ju e dini vetë se çfarë bëni, por përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë që nga drejtuesit deri tek kushdo që ka përgjegjësi menaxhimi. Rekrutimet për drejtuesit nuk do bëhen më sic janë bëë deri tani se nuk do e lejojmë.

Do të kërkojmë dhe ndihmën e partnerëve për të bërë një proces rekrutimi serioz për ndërmarrje se nuk janë mall i huaj të cilit prej 30 vitesh i bihet me top duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët. Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që nuk duan të punojnë, por vetëm të marrin një rrogë pa qenë fare në Shqipëri apo për njerëz që shkojnë në punë dhe bëjnë dëme. Është shumë e trishtueshme kjo pamje dhe e bëmë që të japim një mesazh për të gjithë dhe për të marrë ne përgjegjësinë në emër të autonomisë, të së drejtës të pushtetit vendor për të qenë i lirë të marrë vendime, nuk mund të shkohet deri këtu.

Ky është abuzim i hapur me votën e popullit. Është abuzim flagrant, fyes, arrogant fare me votën e popullit. 

Balluku: Ndërkohë që investojmë, humbjet rriten

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është duke marrë pjesë në takim me kryebashkiakët, që po organizohet në ambientet e Kryeministrisë, për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve.

Në fjalën e saj, Balluku tha se ky sektor lë shumë për të dëshiruar, ndërsa shtoi se në ujësjellësit ku vazhdojnë investimet është vënë re rritje e humbjeve.

Balluku thekson se, ndërkohë që investohet rritet përqindja e ujit të papaguar, sasi që vidhet në rrjet ose që humb për shkaqe teknike. Sipas saj ky problem i bën ata që të mendojë se ka një keqmenaxhim nga ana e drejtuesve.

Ky sektor lë për të dëshiruar dhe këtu nuk do përjashtoja asnjë nga ndërmarrjet. Nuk mund të them që ndonjë ka performancë shumë të mirë, qoftë këtu rasti i Korçës apo Pogradecit. Duke hequr këto dyja kemi identifikuar që pavarësisht të gjithë procesit të agregimit që u bë para disa viteve, nga 180 në 57, sërish performanca në të gjitha bashkitë është e dobët. të gjitha shifrat që kemi 39% më pak se 10 orë në ditë.

Në ato ujësjellësa ku ne vazhdojmë dhe investojmë duke mos i përmendur me emra ne kemi patur edhe rritje të humbjeve. Ndërkohë që investohet të rritet përqindja e ujit të papaguar. Uji i papaguar është ajo sasi që vidhet në rrjet ose që humb për shkaqe teknike. Duke u përballur me këtë fakt na lind e drejt atë mendojmë që këtu ka një keqmenaxhim nga ana e drejtuesve.

50% arkëtojnë më pak se 70% të faturave. Detyrimet e energjisë ndaj OSHEE theksohen çdo vit me 2.5 mld lekë dhe ky është një fakt i pandryshueshëm”, tha Balluku.