Pas pushimit të akuzave të ngritura ndaj Donald Trump për dokumentet e klasifikuara ka reaguar menjëherë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ish-drejtori i Inteligjencës amerikane, Richard Grenell.
Në një postim në platformën X Grenell ka përmendur prokurorin Jack Smith, i cili po hetonte rastin Trump, ndërsa më herët në Hagë kishte hetuar Hashim Thaçin duke thënë se çështja e tij ndaj ish presidentit amerikan ka rënë ndërsa radhën tashmë e ka ish presidenti i Kosovës, duke aluduar lirimin e tij nga akuzat.
Katër komandantët e lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000.
Në paraqitjet para Gjykatës Speciale, Thaçi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij.
“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, ka thënë Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.
Procesi gjyqësor ndaj ish-komandantëve të lartë të UÇK që nisi më 3 prill të vitit të shkuar pritet të zgjasë për vite të tëra, për shkak të lëndës voluminoze, numrit të lartë të dëshmitarëve dhe dokumenteve që pritet të prezantojë, si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja.