Një vizitë e fundit e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Azerbajxhan, ku janë zhvilluar bisedime të mëtejshme me presidentin azer, Ilham Aliyev, sa i përket çështjeve si energjia dhe bashkëpunimi, ka treguar edhe një herë se “shpëtimi” prej ndikimit energjetik rus në Ballkan, mund të vijë edhe nga aty.Aliyev në fakt, është dukur tepër i investuar në muajin e fundit dhe me shumë interes për zhvillimin e Ballkanit.

Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, më 15 nëntor, ai pati vizita të rëndësishme shtetërore, duke përfshirë presidentin Bajram Begaj dhe vetë Ramën.

Çfarë u theksua mes tyre? Dy gjëra parësore.

Fillimisht, një simbolike – por theksueshëm edhe politike – e hapjes së Ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

Në takimin e fundit, gjatë vizitës së Ramës në Baku më 8 dhjetor 2022, Aliyev e tha qartësisht: Duam të kemi dialog aktiv dhe hapja e Ambasadës sonë në Tiranë nuk është thjesht shenjë bashkëpunimi, por nga aspekti praktik, duam të shohim më konkretisht zhvillimet brenda Shqipërisë.

Tre herë në dy muaj, ka pasur vizita të ndërsjellta shtetërore mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre azerë, ndaj fjalët e Aliyev nuk janë thjesht në tym.

Aspekti i dytë, është projekti më i madh gazsjellës që rajoni ndonjëherë ka parë dhe ai është trans-adriatiku TAP.

Shqipëria është edhe një ndër vendet kryesore ku TAP kalon dhe ku është i shtrirë, me potencial jo vetëm lidhje që ka me Evropën Perëndimore përmes Italisë, por edhe me atë për të zhvilluar më tej rrjetin gazsjellës në Shqipëri, për të furnizuar Ballkanin.

Krahas vizitës në Shqipëri në nëntor, Aliyev zhvilloi edhe një vizitë në Serbi, ku u takua me homologun e tij, Alexander Vuçiç.

Aty, po ashtu, u fol shumë për spektrin energjetik, pasi dihet se Serbia, për nga vendet rajonale, ka ndikimin më të madh prej Rusisë, e mbi të gjitha me gazin e lëngshëm, të cilin thuajse të gjithin (85%) e marrin nga Moska, me një marrëveshje të arritur së fundmi për çmimin stabël të tregtimit, edhe pas luftës në Ukrainë.

Një problem të ngjashëm e ka edhe Maqedonia e Veriut me varësinë nga gazi rus.

Të gjitha këto zhvillime, lidhen më së miri edhe me Samitin e 6 dhjetorit, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, ku ndër pikat e theksuara, janë edhe ato për ndihmën që gjashtëshes rajonale i duhet dhënë për krizën energjetike, përfshi gazin.

Azerbajxhani, në këtë kuadër, ndër vendet e bllokut të saj, ka raportet më të mira të mundshme dhe është parë jo pak herë si interlokutor për çështje madhore, ndër të cilat ato energjetike.

Thënë kjo, BE-ja prej kohësh po e kërkon një mundësi investimi në Shqipëri dhe gjithë Ballkanin, për të zhvilluar rrjetin gazsjellës, i cili do të kryente edhe lidhjen “e artë” të rajonit, për të marrë gazin e lëngshëm azer.

Ndaj, në gjithë këtë, me vizita (jo) të rastësishme mes palëve, të shpeshta, edhe thelbësore, mundet që të jetë pikërisht Azerbajxhani shpëtuesi i Ballkanit – por faktik i Evropës – nga varësia ndaj gazit të Kremlinit.