Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në takim me homologun ukrainas, Denys Shmyhal ka sjellë përsëri në vëmendje Kosovën, ku theksoi se Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Kosova dëshmoi se nuk ka mbetur peng i së shkuarës nga mënyra se si u soll “Ukraina kur Kosova sulmohej”.
Edhe më herët gjatë konferencës për shtyp Rama, theksoi se Kosova po jep mbështetjen e plotë për Kiev-in, pavarësisht se Ukraina ende nuk e ka njohur.
“Çfarë do të thotë kjo?”, pyeti kreu i qeverisë shqiptare. “Që këtu jemi në një linjë të asaj çfarë ne përfaqësojmë. Sepse kjo është gjëja e duhur”, shtoi ai.
Kreu i qeverisë shqiptare i garantoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë aspak problem që statusi kandidat t’i jepet Ukrainës.
“Jemi këtu thjesht për t’i thënë jo vetëm mikut tonë të dashur Zelensky, por gjithkujt, se nuk kemi asnjë problem nëse BE i jep statusin kandidat Ukrainës”, nënvizoi kryeministri.
Sipas tij, askush nuk duhet të thotë se “ne do të bëhemi nervozë nëse Ukraina e merr statusin”.
Përkundrazi, u shpreh Rama, do të jemi të lumtur për BE-në, sepse do të bëjnë diçka për veten, jo për ne.
“Ballkani Perëndimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara. Të gjitha janë krah Ukrainës, pavarësisht kontekstit dhe raporteve me Rusinë, sepse është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë, nëse marrin Shqipërinë dhe Serbinë fjala bie”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri shqiptar.