“Asnjë nga sëmundjet e një shoqërie nuk i bën dot asaj dëm më të madh sesa budallallëku”, nisi reagimin e tij në rrjetin social Facebook kryeministri Rama, në lidhje me incidentin e paradites së kësaj të enjteje në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku nënkryetari i Parlamentit Edi Paloka e ngjyrosi me bojë përmes një shiringe.

E për ta përforcuar këtë thënie, Rama përdori edhe një frazë të Martin Luther King, sipas së cilës, “s’ka rrezik më të madh për botën sesa budallallëku i vetëdijshëm”.

Budallallëku i vetëdijshëm, sipas Ramës, jo vetëm që nuk luftohet si të gjitha veset e tjera, por është shumë më i dëmshëm dhe, sado të përpiqesh ta luftosh, nuk e kufizon dot sepse është i pafundëm.

“Problemi me budallain e vetëdijshëm është krenaria, me të cilën ai shfaqet me të gjithë budallallëkun e vet të pakufizueshëm”, tha Rama.

Në rastin konkret, “budallai ishte një njeri me shiringë në dorë, që e hedh bojën përpjetë në Parlamentin e vendit, ndërsa budallallëku që i jep atij guximin dhe krenarinë është një parti e tërë parlamentare”, shtoi më tej kryeministri.

Palokën, Rama e quajti “një lloj shumë të veçantë budallai, palobudalla në kuptimin e plotë të fjalës”, duke e justifikuar këtë me faktin se sot në Kuvendin e Shqipërisë ishte i pranishëm kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, për shkak të të cilit të gjithë shqiptarët e atjeshëm i kishin sytë nga punimet e politikanëve tanë.

“Sot ishte dita kur në mes të zisë kombëtare në vendin fqinj, këtu te ne do të votohej për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, pas një marrëveshjeje historike në Prespë mes Maqedonisë dhe Greqisë”, tha Rama.

Asnjë armik i kombit shqiptar, u shpreh më tej Rama, nuk do ta katranoste dot më keq sot imazhin e Shqipërisë, sesa budallai me shiringë në dorë.

“Ndaj dua ta përsëris, ata nuk e kanë me mua, e kanë me ju dhe unë jam vetëm pengesa mes tyre dhe jush. Durimi s’më humbet, por veç më kalitet; pasioni s’më tretet, por veç më shtohet; dhe vendosmëria s’më bie, por veç më rritet”, theksoi Rama.

“Këta janë dhe do të mbeten një pakicë, që shumicë nuk bëhen dot. Gjynah ata që ende u besojnë dhe u shkojnë nga pas. Dhe budallallëku mbetet ende i rrezikshëm, jo për qeverinë, por për shoqërinë”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama, sipas të cilit “Shqipëria duhet të rrojë e të bëhet zonjë”.

Veritas.com.al/