Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në çeljen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të “14 Majit” ndër të tjera është shprehur se ata nuk janë pajtuar asnjëherë me gabimet e tyre dhe se bilanci është pozitiv në lidhje me kontratat zgjedhore.

Më pas ai tha se PS është fuqia e ndryshimit në këtë vend dhe ata janë në gjendje të bëjnë atë që të tjerët nuk dinë dhe nuk mund të bëjnë.

“Ne nuk jemi pajtuar asnjëherë as me gabimet tona as me ato prej nesh që kanë gabuar duke shkelu parimet tona.

Bilanci ynë është pozitiv me kontratat zgjedhore.

 Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kurdo që zgjedhësit na besojnë, ne bëjmë atë çka tjetër as nuk dinë ta bëjnë, as nuk munden dhe as nuk e kanë bërë ndonjëherë, qoftë edhe në një bashki të vetme.

Le të dalë dikush dhe të na tregojë një bashki në harkun 30 vjetor, ku vota për ata tjerët ka sjellë ndryshim, ka sjellë përparim, shembull pozitiv në qeverisje.

Kam kërkuar me mend, rëndomtë në këto vite dhe nuk e gjej një. Është i njëjti avaz si në Shkodër.

Shikoni Lezhën sot dhe  ktheni kokën me ata dje dhe imagjinoni largqoftë Lezhën me ata dje.

Kurrë më mbrapa dhe vetëm, përpara është gjëja më e natyrshme që mund t’i kërkojmë zgjedhësve të bëjnë” tha ndër të tjera Rama.

Ai theksoi se Shqipëria nën udhëheqjen e Partisë Socialiste shihet me sy krej tjetër në arenën ndërkombëtare.

“Këto ditë nis zyrtarisht fushata jonë e 9 që kur unë drejtoj PS, kemi fituar 7 nga 8 palë zgjedhje, kemi humbur vetëm një në 2009, që më shumë se sa e humbëm, na e morën, sidoqoftë, të fitosh zgjedhjet është një gjë, ndërsa një gjë tjetër është ta kthesh fitoren në vlerë, për komunitetin, jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë, sot jemi një vend krejt tjetër në sytë e botës, na janë besuar role parësore si në OKB, sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë, janë miqësore, aktive, takimet e nivelit të lartë janë pjesë e punës si faktor me peshë në rajon, ky aspekt i transformimit ka një rëndësi për vendin, se do të thotë jo vetëm ndryshim, por ndryshim i botës së jashtme ndaj nesh dhe kjo sjellë më shumë vëmendje dhe interes, si një destinacion për të punuar, investuar dhe jetuar. Rritja e paimagjinueshme e turistëve është vetëm paralajmërimi kuptimplotë e një të ardhme me shpresë, aty e ka bazën transformimi si dita me natën. Zgjedhjet kanë shumë rëndësi për një vend, sesa çfarë gabimisht mendojnë shumë prej zgjedhësve duke mos dhënë votën, sa shumë punë nuk do ishin bërë pa votën e PS, dhe sa shumë dëme do ishin shmangur pa votën e PD”, tha ai.

Ai mori si krahasim Bashkinë e Shkodrës, ndërsa tha se kjo bashki nuk është zhvilluar për shkak se është drejtuar nga njerëzit e gabuar.  Rama theksoi se PS-ja ka ndërmarrë reforma të dhimbshme, por të duhurat për të ardhmen e vendit.

“Pa votën e PS, nuk do ishin marrë reforma të dhimbshme dhe masa të fora, të cilat po i japin formë një shteti të ri, që sot negocion anëtarësimin në BE”, shtoi Rama.

Shefi i qeverisë theksoi se deri në 2030, PS-ja synon që pagën minimale ta çojë në 6o mijë lekë të reja.

“Në këto vite, ne thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë. Ambicia ime është që të kemi një pagë minimale, të paktën 60 mijë lekë”, tha Rama