Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka adresuar sërish një denoncim kreut të SPAK-ut, Arben Kraja.
“Kemi spostuar Gardën e Republikës për ta ndërtuar dhe pronën na e ka marrë një gjyqtare. Një javë para se ta shporrte vettingu na vënë sigurim padie për Teatrin e Fëmijëve. Ndërsa ka 462 mijë euro të pajustifikuara! Çfarë kërkon Arben Kraja nga unë kur e ka këtu këtë gjyqtare?”, theksoi Rama.
“Nëpërmjet një vendimi me ligj ka bllokuar investim serioz të qeverisë. Ata gjykatës që janë larguar nga vettingu që kanë mospërputhje të deklarimeve të pasurisë, duhet të shkojnë para Gjykatës. Deri sot nuk ka ndodhur, nuk kemi asnjë rast ndëshkimi në rast se nuk përmendim ish-Kryeprokurorin që nuk ishte rast nga vettingu”.
Ai tha se ky ishte një rast skandaloz i abuzimit me detyrën.
“Rast skandaloz, i turpshëm i abuzimit me detyrën e lartë. Gjykatësja K.Ç. gjykatëse e gjykatës civile, ka lënë peng fëmijët duke bllokuar punën për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve. Bëhet fjalë për një truall të shtetit, janë përgatitur projekt idetë për fillimin e saj, mirëpo gjykatësja K.Ç ka pasur një mendim tjetër. Kur sapo Ministria bëhet gati të nis punën, prona e shtetit na del me barrë”.