Që pas kërcënimit të Ilir Metës për “qeveri ekspertësh”, Rama ka intesifikuar takimet me deputetët të të gjitha krahëve dhe eksponentët e Partisë Socialiste.
Herë personalisht siç bëri sot herët në mëngjes me dy deputetët e PDIU-së Idrizi dhe Rakipi dhe më shpesh me emisarë besnik, sipas burimeve brenda rrethit të ngushtë të tij ka nisur “gjuetia” e votave të sigurta. Duket hapur se Rama nuk shfaq asnjë impenjim për numrin 94 të deputetëve që duhet për të kaluar reformën.
Këtë sfidë të vështirë ua ka lënë ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, apo rastësisë. Atij i duhen vetëm 71 vota në rast rikonfirmimi të vetes si kryeministër, apo pak më shumë për të treguar forcë dhe pavarësi ndaj Ilir Metës.
Për këtë qëllim, janë ngritur shtabe të vërteta me deputetë dhe ministra besnikë, të cilët e kanë të lidhur fatin e jetës së tyre politike por edhe financiare me atë të Ramës kryeministër.
Sipas burimeve brenda këtij rrethi të ngushtë, ai ka urdhëruar minstrat që të lëshojnë pushtet dhe të zgjidhin qesen, për të plotësuar kërkesat e të gjithë deputetëve të lëkundur, në rast të një votimi besimi apo mosbesimi ndaj tij. Një fushatë e paprecedentë premtimesh për punësime në të gjitha nivelet e administratës, ka nisur.
Nga ana tjetër, të gjithë deputetët, pa përjashtim në të gjithë krahët, po skanohen; kush ka të afërm në punë në adminstratë, lidhjet me bizneset, pikat e dobëta ku mund të shantazhohen, etj etj. Për të gjitha këto është krijuar një “database” me të dhëna të hollësishme, i cili po përdoret individualisht për çdo ligjvënës. Sipas të njëjtave burime, Rama e ka ndarë mendjen dhe po përdor gjithçka, edhe financat edhe kërbaçin që si do të shkojë fati i Reformës në Drejtësi, ai të mos e lëshojë në asnjë mënyrë postin e kryeministrit.
Janë me mijëra email-et që po vërshojnë në drejtim të tij, nëpërmjet të cilave po i kërkohet që me këtë rast të “heqë qafe” edhe Ilir Metën. Kjo është edhe arsyeja që armiku më i betuar i aleatit qeverisës, Tom Doshi është bërë prej tij, një nga drejtuesit kryesor të këtij shtabi që po drejton operacionin për sigurimin e votave mbijetuese./Sipas SYRI.net/