Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama sot në Tiranë, u ndal te situata në Lindjen e Mesme, teksa tha se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza.
Më tej ai i kërkoi Shqipërisë që të jetë në krahun e Turqisë dhe të dënojë sulmin e Izraelit, ndërsa për kryeministrin izraelit tha se është një “kërcënim” global.
“Shkëmbyem ide edhe për çështje globale dhe rajonale. Vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes. Lufta në Lindjen e Mesme ishte në agjendën tonë. Ndava pikëpamjet për agresionet e qeverisë Netanyahu që janë bërë një kërcënim për rendin global.
Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gazë është turpi i përbashkët i njerëzimit, ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për armëpushim të përhershëm dhe për të bërë presion mbi Izrael, besoj se Shqipëria do bëjë pjesën e saj në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Ndërkohë në përgjigjen e tij kryeministri Rama tha se vendi jonë mbështet idenë për një armëpushim, por shtoi se në një pikë ndahen me qëndrimet e Turqisë, duke shtuar se Hamasi dhe çdo burim terrorizmi është i patolerueshëm.
“Ukraina është një temë tjetër që kam pasur me presidentin e Turqisë. Sot përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë, me një popull që është në të drejtën e vetë për të jetuar i lirë dhe e zgjedh vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh në Gaza është një tragjedi.
Ne bashkëndajmë me presidentin Erdogan pikëpamje të njëjta me popullin ukrainas dhe popullin palestinez për të jetuar i qetë në vendin e tij.
Në një vendim jemi të ndryshëm, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorit. Për ne terrori në çdo formë, është i patolerueshëm.
Ne jemi absolutisht pro dhe kemi votuar për një armëpushim, që nënkupton dhe lirimin e pengjeve. Për ne Hamasi dhe çdo burim i terrorit është i patolerueshëm. Izraeli dhe Palestina duhet të jetojnë të sigurtë dhe askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje ekzistencën e tyre”, tha Rama.