Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen mbi verifikimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit pasi rezulton se Ilir Meta apo Metaj ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Në reagimin e tij këtë të shtunë, Rama i ka kthyer përgjigje publike Ilir Metës, i cili mohon të ketë lidhje me dosjen. Një qëndrim të qartë pro kërkesës së Autoritetit të Dosjes e tregoi duke shkruar se politika duhet të votojë në Kuvend ndryshimet ligjore në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë për bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit. Rama theksoi se në shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Kuvendi duhet të diskutojë edhe mbi idenë e hedhur që spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit). Më gjatë ndalet tek Ilir Meta, veprimet e të cilit i cilëson si “shpërthim tërbimi me piskama e lëvizje të pakontrolluara të krahëve” dhe e krahason me Sali Berishën.
Krahasimin e Metës me Sali Berishën që Rama tashmë nuk e thërret as në emër por e quan ‘të shpallurin non grata’ e bën duke iu referuar sulmeve dhe shantazheve ndaj kryetares së Autoritetit të Dsojeve. Kryeministri e kthen prapa në kohë Ilir Metën duke i kujtuar koalicionin PS-LSI dhe bisedat për Genta Sulën. Ishte vetë Meta që propozoi emrin e saj duke i thënë Ramës: “Bëhen këto emërimet tek Autoriteti i Dosjeve, ta çojmë Gentën atje se këta të përndjekurit e ke parasysh… Nuk mbushin mirë.”
Pasi morën në dorë CV e saj, u arrit që Genta Sula, e cila sot akuzohet vazhdimisht nga Meta, të bëhej kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës. Këtë e hodhi poshtë bashkëpunëtori i Ilir Metës, Tedi Blushi, i cili në një reagim në rrjete sociale akuzon Ramën për mashtrim dhe falsifikim duke thënë se Sula ka qenë e preferuara e tij dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera, Rama thekson se nuk ka pasur asnjë kontakt me Genta Sulën, të cilën e ka takuar vetëm në aktivitete publike. Teksa nuk kursen vlerësimin për punën e saj duke thënë se nuk e ka aspak të lehtë, tregon se nuk ka folur me të as pas historisë që e cilëson “të shpifur” të politikanit me inicialet I.M., që ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit.
“Unë nuk e di a është Ilir Meta apo Metaj, ky spiuni me inicialet I.M dhe as e kam parë vetë dosjen!” – tha Rama. Megjithatë mes ish-presidentit dhe Autoritetit thotë se zgjedh të besojë të fundit. Por sipas Ramës, këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Në mbrojtje i doli edhe Lindita Nikollës, të cilën Ilir Meta e sulmoi duke e quajtur ‘pula e Kuvendit’ pasi nuk e njoftoi atë personalisht mbi verifikimin e Autoritetit të Dosjeve, por thirri me urgjencë kryetarët e grupeve parlamentare. Meta u revoltua nga ky fakt duke thënë se nuk e kontaktoi asnjëherë atë personalisht. Ndërsa Rama thotë se Meta i hakërrehet me gjuhën e trashur si të kishte një hall të papritur në vend që të mbështesë kërkesën e Autoritetit të Dosjeve që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Në përfundim, Rama thotë se historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik.