Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes dy ditore të qeverisë në Shëngjin ka dhënë një konferencë për mediat.

Rama tha se brenda 2024 do hapet për qarkullim aksi Thumanë-Kashar, ndërsa shtoi se do procedohet para sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj.

Kreu i qeverisë thotë se është kërkuar financim për Bypass-in e Elbasanit, ndërsa sipas tij puna me korridorin 8 po ecën shpejt. Po ashtu, Rama shtoi se brenda vitit mund të përfundojë edhe segmentin e parë hekurudhor Tiranë Durrës.

“Kemi pasur mbledhjen maratonë të qeverisë, këtë herë kemi pasur 3 sesione. Një me drejtuesit e grupit, një më drejtuesit politik dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhje të zgjeruar të kabinetit qeveritar, me praninë edhe të zv.ministrave.

Sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar. Si zakonisht kjo naratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektor.

Meqë jemi në Lezhë dhe meqë në këtë zonë ka një pritshmëri të posaçme për korridorin blu, dua të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi një pamje të qartë të ecurisë së punës me korridorin blu, brenda këtij viti do hapim për qarkullim aksin Thumanë-Kashar.

Kemi qartësi për ecurinë e aksit e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë. Do procedojmë para sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj. Po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit, Milot-Murriqan.

Jemi në kalendar për të përfunduar segmentin e parë hekurudhor Tiranë Durrës me gjasë brenda vitit, kemi financuar ndërtimin e 4 km që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës”, tha Rama.