Kryeministri Edi Rama përmes komunikimit të zakonshëm javor, në “Facebook”, iu kërkoi votuesve një mandat të fortë, për të qeverisur i vetëm pas 25 qershorit, si e vetmja mënyrë për të realizuar një sërë reformash të nisura tashmë- sipas tij.
“Administrata publike është kthyer në një tepsi, ku partitë e vogla kërkojnë të marrin një copë sa më të madhe për të punësuar militantët e tyre, pa u shqetësuar për mbarëvajtjen e institucionit. Ju keni në dorë që me votën tuaj në 25 qershor, t’a përmbysni këtë tepsi dhe të na jepni mundësinë të vazhdojmë rrugën e reformave që kemi nisur, drejt të bërit shtet”, tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se pas 25 qershorit nuk do të ketë bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, ndërsa tha se nuk ekziston asnjë komplot ndaj partive të vogla.
“Mos i dëgjoni fjalët për bashkëqeverisje me PD dhe komplot ndaj partive të vogla, asgjë nuk është e vërtetë. Në pjesën e parë bëmë shumë, por në pjesën e dytë do të bëjmë shumë më shumë”, tha Kryeministri. Rama tha se vota duhet përdorur për të ardhmen, jo për tifozllëk.
“Përdoreni votën jo për të bërë tifozllëk, por për të investuar besimin tuaj tek unë dhe PS, për të mos e lënë në duart e llogarive të tjera. 25 qershori nuk është një ndeshje futbolli ku shkojmë si tifozë, qendra e votimit nuk është stadium, por një qendër vendimmarrje për veten dhe shoqërinë, për besim te skuadra që do të ndërtojë Shqipërinë. Vota nuk është bileta e një tifozi, por një letër me vlerë që vendos shumë”, tha Kryeministri.
/Veritas.com.al/