Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Partia Socialiste nuk ka bërë presion për dënimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, por ka kërkuar hetimin e tij nga ana e SPAK-ut për ngjarje si “21 janari” apo “Gërdeci”.
 “Të hetohet 21 janari, krimi shtetëror nuk parashkruhet, deri në fund nëse është apo nuk është, këtë do ta tregojë hetimi. Krim shtetëror që të vriten katër persona me plumba të vërtetë. Të hetohet Gërdeci…”, theksoi fillimisht Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare e deklaroi këtë gjatë një konference për shtyp në shoqërinë e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive me pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje, u regjistruan 26 fatalitete, 27 persona të plagosur rëndë dhe 109 të tjerë me plagë të lehta.

Tre vite më pas, më 21 janar të vitit 2011, qytetarë të thirrur nga PS-ja protestuan kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Deklarata
Rama ravijëzoi gjatë fjalës së tij se drejtësia e pavarur duhet të çlirohet nga çdo kompleks i të kaluarës.

“Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti dhe një ish-kryeministri të shpallur non-grata nga SHBA-të me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi”, u shpreh më tej ai.

Kryeministri solli në vëmendje se SPAK së shpejti mbush tre vjet, vetting-u mbush 5 vjet, ndërsa pritja e popullit për një drejtësi ‘të drejtë dhe të barabartë’ mbush 35 vjet.

“Pavarësisht interpretimeve për mua më e rëndësishmja është që ky diskutim të bëhet sepse SPAK-u së shpejti mbush 3 vjet, vetting-u dhe pak javë mbush 5 vjet dhe për pak vite pritja e popullit shqiptar për një drejtësi të drejtë dhe të barabartë mbush 35 vjet”, deklaroi në vijim kreu i qeverisë.

Rama kujtoi se është sulmuar më fort për reformën në drejtësi “jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe mbështetësit e saj”.

Këta të fundit, sipas kryeministrit, janë të palumtur, për shkak të spektrit të deritanishëm të hetimeve.

Për të përforcuar këtë, kryesocialisti shtoi se sot ish-ministra, ish-deputetë, ish-kryebashkiakë janë prapa hekurave dhe pafajësia e tyre mbetet të provohet në gjykatë.

“Ky është një tjetër fakt kokëfortë dhe historik se as unë dhe askush nga ne nuk jemi angazhuar në rrugën e kësaj reforme për të thënë një gjë e për të bërë një gjë tjetër”, nënvizoi Rama.

Në përmbyllje të fjalës, kryeministri shqiptar deklaroi se “qeveria bën reformën, mbështet institucionet por nuk bën drejtësi”.