“Kosova po digjet ngadalë në raputacionin e saj ndërkombëtar, me ata që e krijuan si shtet”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat këtë të martë nga selia e Kryeministrisë.
Kreu i qeverisë deklaroi se nesër nuk mund të ketë një mbledhje normale mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, teksa situata në Veri paraqitet ende kritike dhe aleatët mund të vendosin sanksione.
Sipas tij, zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, nuk u bënë që të qeverisin kryetarët shqiptarë.
“Më fal, po e sanksionoj unë Kosovën? Jo. Më the, a po e sanksionoj unë Kosovën me ndërkombëtarët? Jo, fare, sepse thashë edhe një herë, kam disa ditë që kërkoj ta takoj, ka qenë i zënë, e mirëkuptoj, nuk ka asnjë problem. Nuk jemi në kushtet kur mund të bëmë një mbledhje si ufo. Shqipëria nuk është ufo të paktën, Shqipëria, e përsëris, është pjesë e pandashme e bashkësisë euro-atlantike dhe nuk mundemi të bëjmë një teatër me marrëveshje për bujqësinë, për blegtorinë, etj, që janë shumë të rëndësishme, që janë gati dhe mund të bëhen gati pas disa javësh, ndërkohë që Kosova po digjet ngadalë, por po digjet në reputacionin e saj ndërkombëtar, me ata që e krijuan si shtet. Unë i marr me mend të gjitha nënqeshjet dhe përqeshjet me bashkësinë euro-atlantike, sot, që krijoi Kosovën, të atyre që nuk e deshën kurrë Kosovën e pavarur. I marr me mend, kanë të drejtë, të nënqeshin dhe të përqeshin, sikur të thonë; e donit shtet? Dhe ne këtë gjë ne nuk duhet ta lejojmë, duhet të bëjmë çmos që ta pengojmë, duhet të bëjmë çmos që të mos ndodhë.
Për çfarë bëhet kjo njëherë? Unë nuk e kuptoj. Për një të ngujuar aty që nuk ushtron dot jo detyrën, por nuk ushtron dot as funksionet bazike të një njeriu të lirë që të marrë ajër jashtë godinës? Për çfarë? Ajo që u bë me zgjedhjet ishte gjëja e duhur, por ajo nuk u bë, për mua të paktën, që edhe komunat me shumicë dërrmuese serbe, t’i qeverisin shqiptarët. Ajo u bë për t’i thënë serbëve që ju bojkotoni, ne nuk i lëmë instiucionet e qeverisë vendore në vakum edhe sikur aty të hynë kryetarë komunash me dy vota. Por në momentin që krijohen kushtet që asta të rifuten në zgjedhje dhe në momentin unë jam gati për zgjedhjet e parakohshme, gjëja e parë që bën, çliron të vetëburgorusin e vetëvendosur në një godinë të mbushur me policë, ku nuk ka asnjë punonjës, ku nuk bëhet asnjë aktivitet”, theksoi ai