Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në 30-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH) se politika është e vetmja mundësi për orientim kolektiv.
Rama kishte zgjedhur një fjalim të gjatë që shteronte konceptin e politikës dhe përdorimin e saj në modernitet.
“Fjala politikë është një fjalë e urryer për shumëkënd dhe ka hyrë sot botërisht në fjalorin e fjalëve të pista”, nënvizoi kryetari i Partisë Socialiste.
Duke iu referuar kohëve e qarkullimeve të fjalëve në kanalet e mediave sociale si tunelet e metrosë, Rama tregon se në mesin e tyre politika shkelet me këmbë pa pushim.
Kreu socialist shpengoi gjatë fjalimit të tij retorikën e Platonit mbi politikën apo edhe atë të mitologjisë me figura si Prometeu.
Në shëmbylltyrën e mitit dhe logosit, Rama afroi për të rinjtë konceptin e politikës si art.
Përballë të rinjve, fjala e numrit një të socialistëve dhe qeverisë u fokusua te elaborimi i kuptimit të politikës në përditshmëri e më tej.
Për të folur për tjetërsimet e politikës, Rama kujtoi sulmin e Capitol-it në Washington apo edhe atë të protestës së 8 janarit – një javë më parë – në selinë e Partisë Demokratike.
“Pavarësisht problematikës që është reale, politika mbetet e patjetërsuesshme”, shtoi kreu i qeverisë.
Kryesocialisti theksoi se politika nuk duhet lënë në duart e të tjerëve dhe nuk duhet lënë të bëhet monopol i tyre.
Teksa përmendi fjalët e filozofes gjermane Hannah Arendt, për sensin e politikës që gjendet te liria, Rama kujtoi edhe ambiciet e tij për lirinë e artit përbri politikës.
“Vetëm duke ndryshuar politikën, bashkë me të tjerë, unë mund t’i hiqja qafe këto kufizime”, cilësoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu socialist u bëri thirrje të rinjve që të mos jenë thjesht e vetëm figurantë, por të shkojnë përtej FRESSH-it.
30-vjetori
Amfiteatri i Tiranës u hap të shtunën e 15 janarit për të gjithë të rinjtë socialistë që festojnë sot 30-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH).
Fillimisht, ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, që mori fjalën.
Zyrtarja shqiptare ka uruar më së pari të gjithë ata që janë dhe që kanë qenë pjesë e kësaj strukture në festimet e 30-vjetorit.
Fitorja e zgjedhjeve të 25 prillit, sipas saj, ishte një moment kulmues i forcës së strukturave jo vetëm të Partisë Socialiste por edhe të rinisë.
“Opozita jonë jeni ju dhe kërkesat tuaja”, u adresua para të rinjve Spiropali.
Për të, PS-ja e ka fituar garën me kundërshtarin politik, por e ka humbur me ambicien e saj politike.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ministrja bëri thirrje për një bashkim të ri që shkon përtej politikave përçarëse.
Taulant Balla
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi gjatë fjalës së tij se FRESSH u kthye në një shkollë politike.
Ai u ndal te vendimmarrjet politike të strukturës që kanë nxjerrë edhe dy kryeministra nga radhët e saj.
“FRESSH ka qenë dhe do të mbetet shpirti dhe fryma e PS-së”, theksoi Balla.
Për të, FRESSH është organizata më e madhe politike për rininë.
Thënë kjo, Balla ravijëzon se PS-ja mbetet forca me e hapur dhe mbështetëse ndaj të rinjve.
“Shqipëria 2030, e gatshme të ndërveprojë me të rinjtë për vendin e tyre”, tha në përmbyllje kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Damian Gjiknuri
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, ka uruar 30-vjetorin e FRESSH duke kujtuar vështirësitë e krijimit të saj asokohe.
Transformimi i anëtarëve të FRESSH-it, sipas Gjiknurit, është arsyeja e përparimit të kësaj strukture.
“Ardhja e shumë të rinjve dhe të rejave është shumë e rëndësishme në këto momente”, shtoi numri dy i socialistëve.
Për Gjiknurin, sa më shumë të rinj të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje, aq më shumë kontroll mbi të ardhmen e tyre do kenë.
Në përmbyllje, ai solli si shembull protestën e studentëve në vitin 2018.
Referuar kreut socialist, Gjiknuri garantoi se gjithësecili do të ketë një sy që shikon dhe një vesh që i dëgjon.
Urimi i PS-së
Më herët, PS-ja ka postuar një urim në median sociale “Facebook”.
“Në 15 janarin e vitin 1992 të rinjtë energjikë të Partisë Socialiste themeluan Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar”, nënvizon urimi socialist.
Sipas kësaj force politike, FRESSH është sot organizata më e madhe politike rinore në vend.
Kjo e fundit, vijon të luajë një rol tepër të rëndësishëm si aleati i përhershëm i forcës sonë politike.
“Misioni dhe aspirata e FRESSH me simbolin e 12 yjeve të Bashkimit Europian, vijon ende sot të jetë i njëjti: anëtarësimi në familjen europiane”, ravijëzon në përmbyllje PS-ja. /Albanianpost.com