Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e akordimit të çmimit “Karli i Madh” (Charlemagne) për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Aachen të Gjermanisë.

”Kryetarja e Komisionit Evropian po nderohet sepse ka luajtur një rol kyç në mbajtjen e Evropës të bashkuar, elastike dhe të aftë për veprim”, thuhet në një deklaratë nga organi që jep çmimin.

Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua në bashkinë e Aachen-it, një qytet i lashtë në kufirin me Belgjikën dhe Holandën dhe i lidhur me perandorin evropian të shekullit XVIII Karli i Madh.

Folësit përfshinë kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe mbretin Felipe VI të Spanjës.

Midis 700 të ftuarve të nderit ishin ish-laureatë, si ish-kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker.

Çmimi ”Karli i Madh” është dhënë nga qytetarët e Aachen-it për 75 vjet për shërbime ndaj Evropës dhe unitetit evropian.

Midis laureatëve janë shumë politikanë si ish-kryeministri britanik, Winston Churchill, kancelarja gjermane, Angela Merkel ose ish-presidenti amerikan, Bill Clinton si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe i ndjeri papa Françesku.

Në vitin 2023, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas u nderuan me këtë çmim.

Çmimi përbëhet nga një certifikatë dhe një medalje ari.

Çmimi mban emrin e Karlit të Madh, perandoria frankiste e të cilit shtrihej në pjesë të mëdha të Evropës në Mesjetën e hershme dhe për këtë arsye nganjëherë ai quhet edhe Ati i Evropës./ata

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *