Kryeministri Edi Rama, në takimin për transformimin e Parkut Metalurgjik në Elbasan nga një trashëgimi industriale në një hapësirë të gjelbër, deklaroi se ky park “ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe për ta transformuar duhet krijuar një aleancë me të gjithë bizneset”.

Rama shtoi se për këtë janë angazhuar një sërë arkitektësh vendas dhe të huaj. Kreu i qeverisë tha Parku së bashku me Auto Moto Parkun, do të jetë një pikë që do të bashkojë Tiranën dhe Elbasanin.

“Në transformimin e territorit të kombinatit metalurgjik në një park kombëtar industrial duam të mbështetemi te një aleancë me të gjithë bizneset e pranishme, jo vetëm për të stimuluar më tutje zgjerimin tuaj, por edhe për të ndërtuar një koncept të ri në administrimin e jetës së përditshme të të gjithë këtij territori, i cili njëkohësisht është i fokusuar te Elbasani. Ne kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm arkitektësh të huaj dhe vendas për të përcaktuar drejtimin e masterplanit. Këtu territori është i madh dhe ka vend për të imagjinuar shumë gjëra dhe ideja duhet të jetë që ky park duhet të jetë një destinacion për të gjithë dhe duhet të bëhet bashkë me automotorparkun”, tha kryeministri.

“Që të vish të punosh këtu është një distancë po aq ose edhe më e shkurtër se ç’mund të jetë distanca që të merr të shkosh të punosh nga njëra anë e Tiranës në tjetrën. Duhet kuptuar se ka potencial për të hapur kryeqytetin dhe dhënë një energji dhe frymëmarrje të re me të dy këto pika, që janë shumë afër njëra-tjetrës, parku i Kombinatit dhe Automotorparku. Automotorparku nuk është një investim vetëm për Formulën 1, por do të jetë një destinacion i përditshëm, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore. Do të jetë një qendër europiane për rritjen e sigurisë rrugore sipas modeleve më të mira që ka sot Europa, falë partneritetit të ndërtuar me qendrën e sigurisë rrugore në Austri”, shtoi Edi Rama. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *