Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Vaun e Dejës, Shkodër,  arrestimin e ish-deputetit të PD-së, Bardh Spahia, teksa ishte nisur për në emisionin ‘Open’ në Top Channel.

Duke bërë një ndarje midis drejtuesve të opozitës dhe qytetarëve që i mbështesin në kundërshtinë e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, Rama tha: “Ata të tjerët (qytetarët) janë si puna e atij (Bardh Spahia) që u nis për në emision dhe përfundoi në komisariat.”

Rama tha se Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë vetëm një hall: drejtësinë. Sipas kryeministrit, opozita ka qenë gjithnjë kundër reformës në drejtësi.

Sa i përket faktit që në Vaun e Dejës do të jetë në garë për 30 qershorin vetëm kandidati i Partisë Socialiste, Rama deklaroi: “Udhëheqja e PD-së ka vendosur të kapitullojë përpara se të fillojë beteja zgjedhore. Ka pranuar se nuk fiton dot zgjedhje me ne dhe është larguar.”’

Veritas.com.al/