Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, së bashku me ambasadoren e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann dhe ambasadorët e Italisë, Fabrizzio Bucci e atë gjerman, Peter Zingraf, do të zhtillojnë një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike, sa i përket reformës territoriale.

Pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, duke parë rëndësinë e çështjes dhe nismën e sapo dorëzuar të demokratëve në Kuvend, për ndryshime kushtetuese, lidhur me reformën.

Në takim, sipas burimeve të Albanian Post pranë Partisë Demokratike, do të jenë kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, si edhe deputetët Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma.

Ai pritet të zhvillohet sot rreth mesditës, pas zhvillimeve të ditëve të fundit, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e legjislacionit.

Përmes deputetëve në Komisionin e Reformës Territoriale, Partia Demokratike ka dorëzuar më herët gjatë ditës së sotme në Kuvend, projektligjin për ndryshimet e ndarjes territoriale.

Bashkë me projektligjin është edhe materiali shoqërues dhe hartat me 94 bashki.

Deputetja Dhurata Çupi ka treguar se ky projektligj përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Jemi munduar që çdo kërkesë e tyre të merret parasysh. Nga 61 bashki sot kemi propozuar 94 në total, pra kemi një shtesë me 33 bashki. Ne kemi qenë në të gjitha qarqet e vendit dhe kemi dëgjuar interesat e qytetarëve dhe mendojmë se ky projektligj i mbështet ato”, ka thënë ajo

Më herët, PD-ja ka njoftuar se përmes deputetëve të vet në Komisionin e Reformës territoriale, do të dorëzohej në Kuvend projektligji për ndryshimet e ndarjes territoriale së bashku me materialin shoqërues dhe hartat me 94 bashki.