Në Vlorë, në Sheshin e Flamurit është  zhvilluar ceremonia për nderimin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, ku po marrin pjesë krerët më të lartë të vendit.

Në fjalën e tij në ceremoninë e 100-vjetorit, kryeministri Edi Rama e cilësoi Luftën e Vlorës si më të veçantën në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj.

Nga Sheshi i Flamurit, ku po përkujtohet 100-vjetori i kësaj lufte, kreu i qeverisë tha se Lufta e Vlorës u fitua nga pala që ishte objektivisht e humbur, dhe pikërisht kjo e bën aq të veçantë.

“Besoj që ka në analogjinë e të pamundurës e cila është në ADN e gjakut të vlonjateve sikundër më shumë sesa një herë historia jonë e përbashkët ka folur. Një popull i çuditshëm me një aftëso të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. Lufta e Vlorës është një nga luftërat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur. Nëse Pavarësia e 8 viteve përpara Luftës së Vlorës i tregoi botës se shqiptarët ekzistojnë, është Lufta e Vlorës që tregon për herë të parë se dhe shteti shqiptar ekziston dhe ka forcën të ushtrojë të drejta të barabarta në raport me çdo etnitet tjetër sovran.

Për këtë themi se te Lufta e Vlorës gjendet një nga ato momentet formuese të shtetit të ri shqiptar. Kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj dy herë, jo vetëm për Pavarësinë, por edhe për Luftën e Vlorës.

Shqipëria rrezikonte të vishej sërish me të zeza, nga Traktati i fshehtë i Londrës, por amerikanët e mbështetën atë që ndodhi, edhe përmes shtypit të tyre të lirë, që në atë kohë.

Një tjetër element i rëndësishëm është pjesëmarrja e jashtëzakonshme e grave në atë luftë. Ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime”, deklaroi kryeministri Rama.

VERITAS.COM.AL