Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 16 shkurtit, ka deklaruar se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka përkrahur ndaj iniciativës “Ballkani i Hapur”.

“Jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar Ballkanin e Hapur. Kemi folur për këtë projekt dhe mbështetja është 100%”, tha Rama.

Më tej, ai theksoi se “e kemi arritur atë që kemi dashur kur jemi nisur”, duke cituar pritjen zyrtare në kuadër të fillimit të mandatit në Këshillin e Sigurimit dhe takimin me kryediplomatin amerikan.

Gjithashtu tha se, gjatë bisedimit me Blinken, janë prekur të gjitha temat e paracaktuara, në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-të.

Ajo që spikati qysh në fillim nga gazetarët ishte shpallja persona non grata e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilën numri një i qeverisë tha se është “meritë 100% e Berishës”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vetëm kanë konfirmuar meritën e Berishës”, tha ai.

Duke prekur dhe situatën aktuale politike, numri një i qeverisë foli për koalicionin “Shtëpia e Lirisë”. Sipas tij, ky koalicion nuk do të prodhojë asnjë rezultat pozitiv.

Edhe fusha e mbrojtjes ishte pjesë e diskutimit mes të parit të qeverisë dhe gazetarëve.

Kryeministri i vendit tha se projekti i Defender-it do të përsëritet sërish në vitin 2023.

Kryeministri shqiptar ndodhet në Washington, në kuadër të fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, në Kombet e Bashkuara (OKB). Me 15 shkurt ai u takua me sekretarin amerikan te Shtetit, Antony Blinken

 

Kryediplomati i Shtëpisë së Bardhë u shfaq i frymëzuar dhe largpamës në statusin e tij në median sociale Twitter, duke deklaruar se “mezi presim 100 vitet e ardhshme”.

“Kënaqësi të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të festoja 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme!”, ishte urimi i sekretarit amerikan. Me 14 shkurt u mbajt edhe ceremonia zyrtare per mandatin e Shqiperise ne Keshillin e Sigurimit te OKB

Gjatë fjalës së rastit, kryeministri tha se ky mandat “shënon një gur themelor në transformimin e vendit tonë”.

Nga New York-u, Rama theksoi se Këshilli i Sigurimit “duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë”.

Gjithashtu, edhe vendosjen e drejtësisë dhe llogaridhënies, për të cilën kryeministri tha se “mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme”./ AP/