Kryeministri Edi Rama theksoi në fund të takimit me opozitën parlamentare se nuk beson që listat e hapura do të kenë një efekt çudibërës në procesin demokratik dhe se nuk do të kemi një 17 maj të dytë.

“E kuptoj që ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt cudibërëse në procesin demokratik, unë nuk e besoj këtë se mendoj që nuk ka sistem ndër sistemet zgjedhore më demokratik se tjetri, janë të gjithë demokratike, çdo vend për zgjedhjen e vet.

Përfytyroni që këta njerëz që janë në parlament vijnë nga lista e PD-së dhe simotrës së vet të vogël, nëse lista do ishte e hapur zgjedhja do ishte mes atyre që janë këtu dhe atyre që janë jashtë.

Kjo reformë duhej bërë më parë, me dy shkallë, duhet të bëhej marrëveshje për Kodin, dhe pastaj për kushtet e tjera.

Me këtë Kod nuk shkojmë dot në zgjedhje sepse ka nevojë për ndërhyrje, ku kryesoja është që të ndërhyjmë në Kod për të garantuar ankimimin që sot ka rënë, prandaj duhet të kemi edhe konsensus të opozitës parlamentare.

Kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është ajo që ne do të donim, por duke qenë se synimi kryesor i asaj tryeze ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu dhe krijimi i mundësive dhe garancive për opozitën jo parlamentare që ka një psikozë që është e pangushëllueshme për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi t’i themi bëje si të duash ti. Ishte surprizë kur tha që më e mira është kjo që kemi, se pastaj pse u bë e gjitha kjo dhe ky zinxhir cudirash, bëmash, krisjesh, kjo është histori tjetër.

Ne duam që në atë marrëveshje ne jemi palë, që nuk jemi këtu për ta vënë në diskutim dhe për ta përmbysur, por për ta kaluar. Kuptohet që ne gjendemi midis dy zjarreve se kemi këtë marrëveshje dhe votimin në parlament, që kërkon më shumë se votat që ne i disponojmë. Zgjodha Bashën, jo opozitën, se jemi në këto kushte, kemi opozitën jashtë parlamentit që s’ka asnjë faktor dhe kemi një opozitë tjetër brenda.

Nuk jam diktatori që imponohet për më tepër kur bëhet fjalë për gjëra që janë të lidhura me rregullat e lojës. Ne patjetër që mund të bënin një marrëveshje në parlament, më e mirë se ajo që kemi bërë me Bashën, se depolitizimi do na pëlqente edhe ne. Do ishte më e lehtë sot edhe me këta që janë këtu nëse do kishim depolitizimin se kanë të drejtë kur thonë se sistemi i komisioneve dhe partiak nuk i garanton aq sa duhet forcat e vogla.

Basha unë i them bëj si të duash, ndërsa po ti them të njëjtën gjë i bie të kemi dy Kode të ndryshme ku zhvillohen dy zgjedhje, me gjithë respektin për Murrizin. Po t’u thoni këtyre që ngrini kartonin për të vrarë veten, është ndoshta “shumë”. S’ka 17 maj të dytë”, tha Rama.

VERITAS.COM.AL