Në një konferencë më gazetarët kryeministri Edi Rama foli mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe mbi disa prej emrave të listës me 61 kandidatët që do të kandidojnë në zgjedhjet e 30 Qershorit.
“Po komentoj pak mbi regjistrin e përfunduar sipas afatit ligjor dje të 61 kandidatëve tanë për bashkitë dhe të listave për këshillat bashkiakë. Besoj që kemi arritur të finalizojmë një ekip të mirë, besoj që kemi arritur ti japim një mundësi të mirë komuniteteve që do të votojnë në 30 Qershor, duke rikonfirmuar një pjesë të kryetarëve të bashkive që në gjykimin tonë kanë bërë një punë të mirë dhe duke ju propozuar komuniteteve që në këtë mandat nuk janë drejtuar prej nesh, kandidatura me potencial dhe standarde sipas ambicies tonë që është e lexueshme në bashkitë që kemi qeverisur deri më sot.
Kreu i qeverisë tha se në këshillat bashkiak përsëri janë vendosur 50 % gra dhe 50 % burra.
“Përsëri kemi vendosur përpara gjykimit të qytetarëve skuadra të këshillave me 50 % gra dhe vajza dhe 50 % burra dhe djem në të gjithë territorin”
Zoti Rama nuk kurseu fjalët e mira për kandidatin e Shkodrës, Valdrin Pjetrin, si dhe kandidaten e Durrësit Valbona Sako, që mbante postin e Drejtoreshës së Tatimeve.
“Dua të them se jam i kënaqur me kandidaturën që i kemi propozuar Shkodrës, një individ që meriton respektin tonë dhe timin pasi e kam njohur në kryerjen e disa detyrave të rëndësishme që i përket atij komuniteti si gjenerata e re me një familje me rrënjë të thella në Shkodër dhe traditë familjarë shumë të respektueshme. I kemi dhënë Kukësit kandidatin e duhur për të bërë një ndryshim të duhur. Një personazh i mirënjohur për komunitetin dhe më parë në detyrën e Prefektit të Kukësit ka dhënë prova të mjaftueshme për tu vlerësuar si një administrator i aftë. Kam shumë besim se në tërësi kandidaturat në zonat ende më të prapambetura të vendit për 1001 arsye që dihen dhe posaçërisht në zona më të thella që nga Tropoja dhe deri në Konispol janë kandidatura që meritojnë të konsiderohen më vëmendje dhe të votohen nga qytetarët.
Në Durrës kemi vendosur të besojmë tek fuqia e gruas, një zonjë që për rreth 6 vjet ka drejtuar Tatimet në zonën e Durrësit dhe për të cilën asnjëherë nuk ka pasur asnjë ankesë dhe jo më pastaj arsye të qenësishme për të vënë në dyshim integritetit gjë qe e provojnë dhe rezultatet e asaj drejtorie tatimore. Një ekonomiste që është e njohur në të gjithë familjen tonë politike prej shumë vitesh dhe do të njihet dhe në zonat më periferike të asaj bashkie”.
Gjithashtu Rama tha se PS është duke punuar dhe në bashkitë e vogla të cilat kanë një potencial të madh.
“Për të vazhduar me bashkitë që kemi qeverisur dhe rezultatet janë të prekshme edhe në ato bashki ku nuk kemi qeverisur mendoj që kemi bërë zgjedhje të bukura edhe për bashkinë e Devollit, një bashki tradicionalisht djathtas, por që ka një potencial të madh dhe të pashfrytëzuar, pa harruar dhe të tjera bashki që deri më sot nuk kanë qenë në drejtimin e njerëzve të mandatar nga PS. Selenica është një bashki e vogël në pikëpamje të qendrës së vet por me një territor të madh. Ne po punojmë shumë për të zhvilluar infrastrukturën. Apo bashki si Cërriku dhe Përrenjasi që janë të vogla në zë por jo të vogla nga potenciali, janë drejtuar nga kryebashkiakë që i mbështesim dhe ne, por i pikasin një kulturë tjetër. Mjafton të shkosh nga Cërriku në Blesh dhe të kundërtën për të parë diferencën e madhe që ka midis bashkive të administruara nga PS dhe bashkive të tjera të administruara nga ish aleatët tanë nga zgjedhjet e mëparshme. Mendoj që jemi në kushtet kur ti shikojmë në sy qytetarët dhe tu themi se kemi vendosur për gjykimin e tyre një numër kandidatësh që meritojnë të votohen”.
Veritas.com.al/