Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Parlamenti Europian dhe organizma të tjerë të Bashkimit Europian që të lejojë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë hapur negociatat të marrin pjesë në seanca, por pa të drejtë vote.

Në mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian në Bruksel për planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, gjatë fjalës së tij Kryeministri Rama theksoi se nuk duhet të flitet për zgjerim të BE-së, por për bashkim me vendet e Ballkanit.

“Nuk më pëlqen fjala zgjerim sepse nuk ka të bëjë me zgjerimin, ka të bëjë me bashkimin. Mendoj gjithmonë se sa në themel, sa në zemër jemi të gjithë organizmit të BE-së. Jemi gati në stomakun e Europës. Si e zgjeron stomakun? Thjesht e bashkon me trupin”.

Kryeministri shqiptar tha se integrimi i plotë në BE është një proces i gjatë shtetndërtimi.

“Kështu besoj që është thelbësore të kuptojmë të dyja palët që nga njëra anë nuk duhet të nxitojmë, nuk ka të bëjë me gjetjen e një rruge të shpejtë, është një proces shtetndërtimi dhe i formimit të institucioneve demokratike dhe të duhet të kalosh nëpër të, nuk mund të përshpejtosh një kurs të marrjes së patentës. Nga njëra anë na duhet ta kuptojmë ne, na duhet ta kuptojnë qytetarët tanë dhe kjo gjë lidhet me detyra shtëpie shumë të vështira por që na duhet t’i bëjmë. Është e vetmja rrugë për t’u siguruar që brezat e ardhshme të kenë një shtet që ëstë njësoj si një shtet anëtar në mënyrën e funksionimit të vetë. Është e vetmja rrugë për të shkëputur të ardhmen nga e shkuara. Nga ana tjetër është po kaq e rëndësishme që BE të mos e shfrytëzojë këtë ‘nuk jeni akoma gati’ si një pretekst për të mos ta parë si një pjesë të rëndësishme të mozaikut. BE duhet të na i hapë të gjitha dyert si këtu, ndaj erdha, thashë kjo është gjë shumë e mirë simbolikisht. Ndaj uroj fort që edhe Parlamenti Europian do të çelë dyert për të ftuar disa prej njerëzve tanë të ulen në karrige atje për të ndjekur proceset, por nuk do të votojnë, kjo nuk është dramë. E njëjta gjë vlen për drejtoritë, kjo është mënyra se si do hedhim hapa përpara”, u shpreh Rama.

Kryeministri vlerësoi se Bashkimi Europian është një bankë njohurish se si të ndërtosh institucione.