Në fillim të fjalës së tij pas prezantimit të raportit të PS për kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin e Belinda Ballukut, Rama tha se nuk është akuzuar as për vjedhje e as për korrupsion. Ai e quajti “turravrap të pakuptueshëm” pezullimin e saj, që e cilësoi si “masë absurde” pasi pezulloi funksionin.

“Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar jo për vjedhje, jo për korrupsion e gjësendi tjetër të lidhur me një skenë krimi ose flagrancë, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer veprën penale pabarazi në tenderë publike 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori. Mbi këtë fakt krejt të pahetuar asokohe, por si rëndom servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e Stacionit të Trenit si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit publik e mediatik, u vendos fillimisht me një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori dhe gjykatësi i seancës pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Një masë absurde që siç e kemi shpjeguar, pezulloi funksionin dhe jo personin, prandaj s’ka ndodhur në botë asnjë budallallëk i kësaj natyre. Pa pritur fare përfundimin e procesit për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e ekzekutivit, sapo gjykata pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte cështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë: kërkesa që diskutojmë sot. E diskutojmë me të drejtën që na jep Kushtetuta për të rrëzuar ose jo arrestin e një deputeti”, tha Rama.

Ndërkohë më tej, Kryeministri Edi Rama, duke komentuar hetimet e SPAK për Belinda Ballukun, tha se uron që Prokuroria e Posaçme të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni.

“Duhet tu them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë, nuk e solli koha, as thjeshtë paratë. Para janë harxhuar plot edhe më parë, për rrugët e lëna rrugëve, nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie ku bën pjesë edhe Balluku si anëtarë e kryesisë së PS, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit e cila për 6 vite me radhë drejtoi Infrastrukturën duke punuar pa orar, luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe cilësi objektivat e programit tonë qeverisë në këta dy sektorë që e kanë vuajtur prapambetjen historike. Edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit ku ajo do vazhdojë të drejtojë qarkun dhe s’do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Uroj që në hetimin e çështjes, SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe zakon”, tha Rama.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *