Kryeministri Edi Rama ka përfituar nga një bisedë me studentët të Universitetit të Mjekësisë për të sulmuar pedagogët që kanë paralajmëruar grevë.

Ai tha se kur pedagogët, të cilët i ka etiketuar si “Mark Markët”, t’u përgjigjen tre pyetjeve, atëherë ai do të marrë përgjegjësinë si fajtori për problemet e studentëve.

“Duhet t’i pyesni ata janë dakord për vlerësimin e titujve akademikë? E duan apo nuk e duan dhe jo të thonë ‘po’, por kur e duan e si i duan. Kush po i denigron pedagogët? Nuk kanë të drejtë studentët kur thonë që na shesin librat?!

Pyetja e dytë, duhet të na thonë janë dakord për shitjen e librave të pedagogëve?

Pyetja e tretë është: a janë dakord apo jo që çdo vit studentët të bëjnë një vlerësim të performancës së pedagogëve?”

Rama u tha studentëve se ai vetë është protestues, ndërsa pedagogët duan të bëjnë grevë jo për problemet e studentëve, por për hallet e tyre.

“Aty do kuptohet se për çfarë e bëjnë grevën, e bëjnë për ju apo se s’duan. Për çfarë e kërkojnë abrogimin e ligjit. Ne duam t’u japim përgjigje kërkesave të studentëve një për një. Një pjesë e këtyre kërkesave janë për Universitetin. Duhet ta bëjnë pedagogët. Gjithë studentët më shkruajnë mua, ‘mos ua lër në dorë atyre’. Këta që bërtasin, dhe që bëjnë greva dhe që ulërijnë duhet të përgjigjen. Po e morët dot përgjigjen, hajdeni më lajmëroni”, tha Rama.

Ndërsa studentët u ankuan për gjendjen e konvikteve, Rama tha se situata ishte shumë më e mirë se pesë vjet më parë dhe se përmirësimi do të vazhdojë në mënyrë graduale.

Ai tha se qeveria ka bërë shumë për studentët, që nga rikonstruksionet e detri tek punësimet, madje edhe duke i lehtësuar prindërit e tyre nga taksat.

Rama kërkoi vazhdimin e dialogut të nisur pas protestave studentore, duke shprehuar angazhim për përmbushjen e kërkesave të studentëve, por duke iu kërkuar të rikthehen në sallat e leksioneve “për të mos humbur vitin shkollor”.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e rikonstruktuara të Konviktit të Mjekësisë, Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shkruan afp.al/

Veritas.com.al/