Taksën 100 % ndaj mallrave serbe që ka vendosur Kosova, kryeministri Rama e ka quajtur ‘vendim normal në kushtet e dyfytyrësisë së Serbisë’.

‘Nga njëra anë Serbia hiqet si viktimë dhe nga ana tjetër i ngul thikën pas shpine Kosovës” tha Rama duke shprehur dhe kritika ndaj Bashkimit Europian për qëndrimin ndaj Kosovës.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt sot paradite (26 nentor) në Pejë, Rama nënvizoi disa herë se nuk është Serbia viktima por Kosova dhe se taksa 100% ndaj mallrave serbe është përgjigje politike ndaj veprimeve të Serbisë dhe jo ekonomike.

Madje ai zbuloi dhe presionin që Serbia përmes të dërguarve të Europës vijon t’i bëjë Kosovës.

Edi Rama: Është një vendim irracional në kushtet normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti si ato që përvijon vijimisht qasja dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100% si vendim ekonomik, gabon.

Jo!  Tarifa 100% është reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme  të një sjelljeje supermatiste të Serbisë ndaj Kosovës. Ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale të Kosovës më tregonte mbrëmë sesi  në Beograd deri në 02:00 me anë të të dërguarve të Europës i kërkonin të hiqte fjalën Republika e Kosovës nga fjalimi që do të mbante të nesërmen në një mbledhje të përbashkët ku dhe Kosova ishte e pranishme për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët  në rrugën e paqtimit rajonal.

What the fuck! Do të thuhej në gjuhën e Parlamentit Europian. Ne nuk mund  të mohojmë se marrëdhëniet dy palëshe nuk janë pa vështirësi. Mjafton dhe shembulli mes Shqipërisë dhe  Kosovës për të kuptuar se në ecurinë e këtyre marrëdhënieve ka vështirës, e lëre më pastaj mes Kosovës dhe Serbisë, por ama këto vështirësi janë të të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët.  Dhe partneriteti Shqipëri-Kosovë në shumë aspekte e dëshmon këtë. Sot ne jemi në fazën kur duhet të konkludojmë.

Zero tarifa dhe zero barriera tarifore brenda 6 mujorit të parë Shqipëri- Kosovë. Nëse jemi këtu jemi këtu për ta bërë këtë dhe duhet ta bëjmë dhe nuk ka nevojë të mblidhemi sërish. Sot është koha të vëmë 100 % tarifa në veri të Kosovës dhe zero % në jug të Kosovës.”

Frenezia e Serbisë provokuese

Kryeministri Rama tha se frenezia e Serbisë për bllokimin e Kosovës nuk është thjesht shqetësues por është sfiduese, deri në dekurajimin e vetë procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale.

Edi Rama: “Ne nuk mund veç të konstatojmë senë dialogun me Serbinë republika e Kosovës ka ditur të bëjë lëshimet që i gjykon të nevojshme duke i mbajtur parimit të reciprocitetit dhe sovranitetit por duke mos marrë mbrapsht atë që i takon. Janë bërë përparime në shumë drejtim dhe një draf dakordësimi është në përgatitje e sipër në mbikëqyrjen e BE-së, psh, ama frenezia me të cilën Serbia po e bllokon pranimin e Kosovës në instanca rajonale e ndërkombëtare deri tek kurajoja e pashpjegueshme për të kërkuar tërheqjet e njohjeve të Kosovës si republikë nuk është thjesht shqetësues por është sfiduese, deri në dekurajimin e vetë procesit të dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcionale.

Asnjë presje nuk i hiqet sot përfundimit të një ish-ministri britanik sipas të cilit bllokimi i njohjeve të Kosovës është inkurajimi më cinik ndaj enklavave kriminale ku bashkëpunojnë mafiet po aq multietnike sa popullsia e Kosovës. Përpjekjet e Serbisë, shkruan ai, kanë cenuar ekonomikisht të gjitha komunitetet pa përjashtim. Fermerët kosovarë  nuk shesin dot  prodhimet e tyre në Serbinë e Jugut, kontejnerë apo vagonë të tërë me fruta dhe perime të kërkuar nga tregjet e Europës veriore duhet të dilnin përditë nga Kosova. Por edhe këtu si kudo gjetkë Serbia bllokon.”

Rama tha se Serbia po mban peng dhe linjen rajonale 400 KV e energjise

Edi Rama: “Ka edhe më. Spektri i bllokimit të marrëveshjes së energjisë së prerjes së linjës 400 KV të energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës për këtë shkak, dëshmon se linja rajonale është peng, peng jo i poaaftësisë së rajonit për ta konkretizuar  por i një filozofie të tërë, strategjie të tërë, qasje të tërë bllokuese, regresive të një prej vendeve rrugëtimi historik natyral i të cilit duhet ta bënte i ndjeri lokomotivë e integrimit. Po romingu dhe lënia e Kosovës jashtë tij. E pra ja sesi në këtë kontekst të posaçëm goditjesh të vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh merr dhe shpjegim tarifa 100 % për produktet serbe.”

Më 21 nëntor qeveria e Kosovës mori urdhër për të rritur në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia.

Kritik dhe i ashpër kreu i qeverisë u shpreh edhe për Bashkimin Europian për qasjen që po mban me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.

Edi Rama: Bashkimi Europian duhet t’i japi fund qasjes së dyfytyrtë. Një fytyrë për Shqipërinë, një fytyrë për Kosovën. Shqipërisë i thotë do hapim negociatat sot, do hapim negociatat nesër. Kosovës i thotë do liberalizohemi sot, do liberalizohemi nesër dhe ndërkohë, ajo që ndodh, është që Serbia vazhdon hap kapituj dhe po ia del duke përdorur tre fytyra, ndërkohë ne kemi një fytyrë.

Veritas.com.al/