Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku nuk ka bërë asnjë koment sa i përket akuzave të Partisë Demokratike për dosjen penale në Greqi. PD publikoi sot dokumentet e autoriteteve greke ku vërtetohet, sipas saj, akuza për falsifikim parash ndaj Kajmakut.

Por ndonëse vetë kryebashkiaku ka zgjedhur të mos flasë për momentin, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu tha se burime nga Partia Socialiste kanë thënë jozyrtarisht se “Kajmaku ka prova që vërtetojnë faktin që ai nuk është personi i akuzuar nga PD.”

Agim Kajmaku akuzohet se në vitin 2003 ka përdorur 4850 euro false gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, duke iu referuar Prokurorisë së shtetit fqinj deklaroi se për krimin e kryer Kajmaku, duhej të dënohej me 10 vite burg, por vendimi ndaj tij  nuk u ekzekutua  për shkak se ai u arratis nga shteti helen,  kur autoritetet greke  vendosen ta merrnin si të pandehur për  falsifikim parash.

VERITAS.COM.AL/