Nuk patëm kurrë një përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për takimin me Albin Kurtin, kjo është ajo çfarë deklaroi Kryeministri Shqiptar Edi Rama në një intervistë për Klan Kosova mbrëmjen e të enjtes teksa refuzoi të komentonte më tej vendimin e Kryeministrit të Kosovës për të mos u takuar.
“Mua më shqetëson fakti që ne nuk e kemi marrë një përgjigje zyrtare serioze nga një shtet serioz”
Kreu i qeverisë Shqiptare u shpreh se ka insistuar prej kohësh që të takohet me Albin Kurti për të diskutuar mbi samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Shqipëri, pasi sipas Rames ky samit është i një rëndësie të madhe për Kosovën.
“Nuk i kam shkuar pas një ‘Xhuliete indiferente’, me aq shumë kërkesa sa I kam bërë personalisht Albinit për këtë takim, sepse është pjesë e një procesi, ku Kosova është aty si një nga 6 vendet dhe unë nuk e konceptoja dot që në raportin që ne do bëjmë për Berlinin, të shkruajmë që nga Kosova s’kemi propozim se nuk kemi arritur dot të kontaktojmë”.
Kryeministri Shqiptar u shpreh se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos dëgjuar Partnerët ndërkombëtar i ka bërë vendit atë që Serbia nuk ia bëri dot Kosovës për 20 vite.
“Këtë lloj ulje dramatike të reputacionit, të besimit, të sensit të seriozitetit në sytë e të gjithë bashkësisë euroatlantike, Serbia as nuk ia bëri as nuk ia bën dot kurrë Kosovës, Kosova po ia bën vetë vetë me një shpejtësi marramendëse duke u vetëizoluar në emër të Kushtetutës dhe të ligjit, po për cfarë?”
Edi Rama foli edhe mbi anulimin e mbledhjes mes dy qeverive dhe tha i kishte kërkuar Albin Kurtit disa ditë përpara që të takoheshin sepse duhet të flisnin. Kreu i qeverisë Shqiptare deklaroi se i kërkoi Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian Josep Borrell që të mbante pezull masat ndaj Kosovës pasi ai do të mundohej të fliste me Albin Kurtin. Rama deklaroi se anulimi i mbledhjes erdhi pasi Shqipëria nuk mund të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
“Kam dashur që të lehtësoj pozicionin e Kosovës, e kam kërkuar nga shefi i diplomacisë Borrel, duke kërkuar të shtyjë për disa ditë nxjerrjen e masave, në një përpjekje për të kuptuar më mirë situatën të gjitha palët”
Edi Rama deklaroi se nuk ka asgjë personale me Albin Kurtin, pavarësisht mendimeve të tyre që nuk përputhen. Kreu i qeverisë shqiptare e quajti homologun e tij tejet marksist por edhe atraktiv.
“Me personin Albin Kurti unë jo vetëm që nuk kam asnjë problem, por përkundrazi e konsideroj një njeri atraktiv dhe me të cilin mund të bëj biseda pafund, pavarësisht se mund të mos jemi dakord për shumë gjëra.”
Rama deklaroi se diskutimet me Albin Kurtin i bën në Ëhatsapp pavarësisht se ai nuk përgjigjet, ndërsa tha se të flasësh me të është si të flasësh me televizorin.