Kryeministri Edi Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga homologia e tij italiane Giorgia Meloni në Romë, Palazzo Chigi.
Gjatë vizitës së tij në Itali, Rama ka zhvilluar takime me liderët kryesorë të vendit, ku ditën e sotme u zhvillua edhe takimi i dytë i Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali, punimet e të cilit u fokusuan në infrastrukturë, energji dhe agroindustri.
Fillimisht Rama është takuar me Presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa.
Përmes një postimi në Facebook, ku ndau edhe pamje nga takimi, Rama shkruante se qëllimi kryesor i takimeve do të jetë mbledhja e Komitetit të Përbashkët të Investimeve.
“Romë – Me Presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa, në nisjen e vizitës së nivelit të lartë, ku në qendër do të jetë mbledhja e Komitetit të Përbashkët të Investimeve”, ka shkruar Rama.
Kujtojmë që gjatë kësaj vere kryeministrja e Italisë së bashke me familjen e saj zgjodhi që disa ditë pushimi t’i kalojë në jug të Shqipërisë me ftesë të kryeministrit Edi Rama, ku patën edhe disa takime së bashku.